Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë shkaktuar një seri problemesh në zonën e Shkopetit, ku rrëshqitje dheu dhe masive gurësh kanë bllokuar aksin rrugor në afërsi të tunelit të Shkopetit.
Si pasojë, qarkullimi është ndërprerë, ndërsa punonjësit e mirëmbajtjes kanë ndërmarrë veprime për të pastruar rrugën.
Pamjet që kanë mbërritur në redaksinë e Syri Televizion tregojnë me qartësi pasojat e reshjeve, duke zbuluar rrëshqitjen masive të dheut dhe gurëve që kanë bllokuar totalisht rrugën.
Madje, disa masive gurësh janë rrëzuar edhe mbi objektet e kompanisë HEC dhe vendin ku qëndron roja e objektit, fatmirësisht pa shkaktuar pasoja për jetën e personave.
Menjëherë punonjësit e mirëmbajtjes së rrugës Skuraj- Burrel në orët e para të mëngjesit, janë në vendngjarje për të larguar masivet e gurëve, ndërsa pritet të mbërrijë fadromat për hapjen e plotë të këtij aksi rrugor.
Sakaq janë shkulur dhe pyje që ndodhen pranë rrugës, nga reshjet gjatë natës në zonën e Shkopetit pranë tunelit.
© SYRI.net