Gjatë 24 orëve të fundit, në vendin tonë janë regjistruar 16 vatra zjarri. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, vatrat vijojnë të jenë aktive në disa qarqe, ku përhapja e tyre është favorizuar nga erërat e forta.
Flakët vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit. Nga 16 vatrat e regjistruara, 5 prej tyre janë ende aktive. Sipas raportimeve më të fundit, zjarret po shkrumbojnë sipërfaqe të mëdha me vegjetacion në zonën e Orikumit, në vendin e quajtur “Sotiran”.
Prej katër ditësh, zjarri vazhdon të jetë aktiv edhe në malin e Dukatit. I pranishëm në terren, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi se po punohet intensivisht për shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, në fshatin Zgërbonjë të Poliçanit, si pasojë e përhapjes së flakëve, janë rrezikuar edhe disa banesa. Gjithashtu, tre vatra zjarri me intensitet të ulët janë evidentuar edhe në Bulqizë.
Situata paraqitet problematike edhe në Dibër, pranë vendit të quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe livadhe.
Në fshatin Ndroq të Tiranës është regjistruar një tjetër rast i rëndë, ku si pasojë e zjarrit është djegur një banesë dykatëshe. Ndërkohë, në fshatin Mbrostar të Fierit, flakët kanë përfshirë një hangar me bazë ushqimore për blegtorinë, duke shkaktuar ngordhjen e rreth 75 deleve.
© SYRI.net