Në vitin 2023, më shumë se 15% e popullsisë së Francës në zonat urbane, jetonte nën kufirin e varfërisë, një përqindje e paprecedentë që nga viti 1996, kur Instituti Kombëtar i Statistikave (Insee) nisi për herë të parë publikimin e indeksit të varfërisë. Insee e cilësoi situatën si një ‘rritje të fortë’ të pabarazive.
Brenda një viti, përqindja e të varfërve u rrit me një pikë përqindjeje, nga 14.4% në vitin 2022, në 15.4% në 2023.
Konkretisht, rreth 9.8 milionë njerëz ishin në gjendje varfërie ekonomike, që do të thotë se të ardhurat e tyre mujore ishin më të ulëta se 1,288 euro për një person të vetëm, vija e varfërisë e përcaktuar si 60% e të ardhurës mesatare.
Sipas këtij studimi, që nuk përfshin banorët e territoreve përtej detit, të pastrehët dhe personat në institucione, 650,000 persona ranë në varfëri brenda një viti. Një sondazh i mëparshëm që përfshinte gjithë popullsinë franceze, e vendoste këtë shifër në 11.2 milionë persona në vitin 2021.
Rezultatet për vitin 2023 janë më të rëndat në 30 vitet e fundit. “Duhet të kthehemi pas në fillim të viteve 1970 për të gjetur nivele të krahasueshme varfërie,” tha Michel Dieu, drejtues i Departamentit të të Ardhurave dhe Kushteve të Jetesës së Familjeve pranë Insee.
Sipas tij, kjo rritje shpjegohet pjesërisht nga ndërprerja e ndihmave të jashtëzakonshme që ishin vendosur në vitin 2022 për të përballuar inflacionin dhe për të mbështetur fuqinë blerëse të qytetarëve. “Një tjetër faktor është rritja e numrit të të vetëpunësuarve me të ardhura shumë të ulëta,” shtoi ai.
Ndërkohë, Fondacioni për Strehimin e të Pafavorizuarve (ish-Fondacioni Abbé Pierre) e quajti situatën ‘shqetësuese’, por ‘jo të papritur’, duke theksuar se ndërprerja e masave mbështetëse ka lënë shumë familje të pambrojtura.
“Ndërprerjet e energjisë elektrike dhe gazit për shkak të faturave të papaguara janë rritur ndjeshëm, numri i atyre që thonë se kanë ftohtë në shtëpi është pothuajse dyfishuar, dhe po vërejmë një rritje të madhe të dëbimeve,” deklaroi zëdhënësi i fondacionit, Manuel Domergue, duke bërë thirrje për zbatimin e ‘masave strukturore’. Syri.net-CNN.gr
© SYRI.net