Një ditë në det është një zgjedhje ideale për ata që duan të çlodhen dhe të largohen përkohësisht nga stresi i përditshëm.
Shumë njerëz, sidomos fëmijët, nuk i rezistojnë tundimit për të hapur sytë nën ujë, një veprim shpesh i nxitur nga kurioziteti për të parë çfarë ka përreth dhe për të admiruar botën nënujore, edhe pa syze noti.
Megjithatë, siç raporton Infobae.com, ky gjest i padëmshëm në dukje shpesh shoqërohet me ndjesi djegieje, kruarje ose skuqjeje të syve, duke ngritur pyetjen: a është e sigurt të hapim sytë në det?
Për këtë çështje, oftalmologu Vicente Miralles ka dhënë një shpjegim të thjeshtë dhe të kuptueshëm në një video të postuar në TikTok, ku thotë: “Do ta shpjegoj në një mënyrë shumë të thjeshtë.”
Sipas tij, ky shqetësim është diçka që shumica prej nesh e kanë përjetuar ndonjëherë, qoftë në det apo në pishinë. Edhe pse klori në pishina mund të shkaktojë simptoma të ngjashme, uji i detit paraqet disa rreziqe të veçanta.
“Uji i detit ka një osmolalitet më të lartë, pra, një përqendrim më të madh të grimcave të tretura, krahasuar me lotët tanë natyralë”, shpjegon Dr. Miralles.
Kjo disbalancë, së bashku me faktorë si rëra, mikroorganizmat dhe substancat e pranishme në ujë, mund të shkaktojë ndjesi pickimi dhe acarim të syve, edhe pas vetëm disa sekondash ekspozimi.
Megjithatë, ai qetëson se ‘në shumicën e rasteve, bëhet fjalë për shqetësime të lehta dhe kalimtare, pa pasoja serioze’.
Simptomat zakonisht largohen pas disa minutash. Por në raste të rralla, kur ekzistojnë plagë të vogla në kornea (shtresa e jashtme transparente e syrit), rreziku për infeksione rritet.
Ai thekson gjithashtu rëndësinë e vendit ku notojmë: ujërat e ndotura përbëjnë rrezik më të madh për shëndetin e syve.
Po ashtu, paralajmëron që ata që mbajnë lente kontakti duhet t’i heqin para se të hyjnë në ujë, për të shmangur irritimin apo infeksionet.
Në rast se ndjesia e djegies, skuqja apo turbullimi i shikimit nuk zhduken, Dr. Miralles rekomandon përdorimin e lotëve artificialë për të hidratuar dhe lubrifikuar sytë.
Por nëse shqetësimet vazhdojnë, konsultimi me një specialist është i domosdoshëm për të përjashtuar infeksione ose probleme të tjera oftalmologjike. Syri.net-iefimerida
© SYRI.net