SYRI TV/ Gjirokastra pa terminal autobusësh, qytetarët rrezikojnë jetën gjatë pritjes

15:42, 28/06/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në qytetin e Gjirokastrës mungon një terminal autobusësh për udhëtime interurbane. Udhëtarët detyrohen të presin në rrugë, duke rrezikuar jetën për shkak të kalimit të automjeteve, ndërsa turistët që vizitojnë qytetin e gurtë shpesh nuk arrijnë të gjejnë stacione të përshtatshme për të udhëtuar drejt qyteteve të tjera. Premtimet për ndërtimin e një terminali nuk kanë munguar ndër vite, por realiteti vazhdon të mbetet i pandryshuar.

Nga Syri Tv

Në hyrje të Gjirokastrës, mungesa e një terminali urban vazhdon të krijojë shqetësim për qytetarët, të cilët presin për orë të tëra në pikun e vapës, në temperatura ekstreme dhe pa asnjë strehë për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit. Përballë kësaj pamjeje nuk dallohen kategori sociale mes udhëtarëve gjenden të rinj, të moshuar dhe qytetarë me probleme shëndetësore, që qëndrojnë në rrugë.

Udhëtarët shprehen se situata ka mbetur e pandryshuar prej vitesh dhe se nuk kanë më shpresë për një zgjidhje të afërt.

Pritja për mjetet e transportit është jo vetëm e lodhshme, por edhe e rrezikshme, pasi autobusët dhe furgonët ndalojnë në vende ku ka qarkullim të dendur automjetesh, pa ndonjë sinjalistikë apo informacion për një stacion ndalimi. Qytetarët që përdorin transportin publik theksojnë se kjo situatë u krijon vështirësi të përditshme.

Premtimet për ndërtimin e një terminali janë dhënë disa herë nga pushteti lokal në vitet e fundit, por gjithçka ka mbetur në kuadër të fushatave elektorale, ndërsa realiteti nuk ka ndryshuar asnjëherë.

Gjirokastra mirëpret çdo vit mijëra vizitorë dhe promovon trashëgiminë e saj kulturore, por ky promovim humbet vlerë kur as turistët nuk arrijnë të gjejnë një terminal për të udhëtuar drejt qyteteve të tjera. Ndërsa për banorët, kjo situatë është një simfoni e përsëritur, që nuk ndryshon tingull prej dekadash.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco