SYRI TV
Punimet për shtrimin e tubacionit të ujit të pijshëm në rrugën “Skënder Sejdini” në Elbasan, e kanë nxjerrë këtë aks tërësisht jashtë funksionit. Sipas banorëve të kësaj zone, rruga është bërë e pakalueshme, ndërkohë që punimet e lëna në mes, sjellin ndotje dhe pluhur në banesat e tyre. Ata shtojnë se ky investim nuk ka zgjidhur as problemin me ujin.
Hapja e kanaleve për shtrimin e tubacioneve në rrugën “Skënder Sejdini” në qytetin e Elbasanit është kthyer në një shqetësim për banorët e kësaj zone. Sipas tyre, për shkak të punimeve, ky aks rrugor është thuajse i pakalueshëm, ndërkohë që punimet e lëna përgjysmë ka shkaktuar ndotje dhe tym, i cili depërton në banesat e tyre.
Hapja e kësaj rruge dhe shtrimi i tubacioneve të reja, është bërë me qëllim ofrimin e ujit të pijshëm për 24 orë për banorët e kësaj zone. Por pavarësisht kësaj iniciative, sipas banorëve, sërish ujë nuk ka, ndërkohë që tashmë përveç mungesës së ujit, ata duhet të përballen edhe me kaosin që ka sjellë hapja e kanaleve dhe lënia përgjysmë e punimeve.
Banoret kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme për të rikonstruktuar rrugën si dhe zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm në këto ditë të nxehta të verës.
© SYRI.net