Mbi 27 mijë maturantë do t'i nënshtrohën ditën e sotme provimit të Matematikës. Ky është provimi i tretë i Maturës Shtetërore, ku maturantët testohen për njohuritë e tyre.
Nxënësit duhet të paraqiten në ambientet e shkollës në orën 08:30 ndërsa provimi nis në 10:00 dhe përfundon në 12:30. Gjithashtu maturantët duhet të kenë me vete mjet identifikimi (kartë ID ose pasaportë). Mbajtja e telefonave apo orëve inteligjente është rreptësisht e ndaluar.
Provimi i fundit për maturantët është ai me zgjedhje më 24 qershor. Provimi me zgjedhje ofron një gamë të gjerë lëndësh, përfshirë: Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji dhe Ekonomia dhe Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.
Këtë vit Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për maturantët që janë me aftësi të kufizuara.
Për korrigjimin e testeve janë angazhuar më shumë se 640 mësues.
Provimet do të zhvillohen në shkolla që plotësojnë kushtet infrastrukturore të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore.
© SYRI.net