Nga Anglia në Shqipëri në këmbë, Seb Ponari përshkoi 2750 km për 36 ditë: Kam fluturuar

11:09, 16/06/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E nisi rrugëtimin e tij 36 ditë më parë nga qyteti i Cambridge-it në Angli, dhe këtë të diel, këmbët e tij shkelën për herë të parë tokën shqiptare.

Seb Ponari i vendosi vetes një qëllim jashtëzakonisht sfidues: të përshkruajë 2750 kilometra për 40 ditë. Por më shumë se një sfidë fizike, ky ishte një udhëtim shpirtëror.
Në një periudhë të shkurtër, Sebi kaloi dy tragjedi familjare që tronditën thellë jetën e tij. Në përballje me dhimbjen dhe depresionin, ai gjeti qetësi tek vrapimi.

Kjo sfidë që ndërmori nuk ishte thjesht për të provuar veten, por për të dhënë një mesazh për të gjithë ata që përballen me sfida të shëndetit mendor.

“Ndjehem sikur kam vrapuar 270 metra, jo 2700 kilometra,” thotë ai, ndërsa ndodhet në Valbonë pas një rruge të jashtëzakonshme nga Anglia.

 Ky nuk është thjesht një udhëtim, por një fluturim i vërtetë përmes maleve shqiptare, që sfidon kufijtë fizikë dhe shpirtërorë.

Pjesë nga intervista:

Ndjehem sikur kam vrapuar 270 metra, jo 2700 kilometra. Aktualisht ndodhem në Valbonë.

Udhëtimi nga Anglia ka qenë shumë sfidues. Dje, sapo preka tokën shqiptare, u ndjeva si një shqiponjë. Kam "fluturuar" përmes maleve të Thethit dhe jam ndjerë vërtet i lehtë. Pas 13 orë e 45 minutash, arrita nga Hani i Hotit në Valbonë, për një distancë prej 80 km.

Pothuajse të gjithë njerëzit në doganë pyesnin, habiteshin. Kam pasur me vete një staf prej 3–4 vetash. Njëri prej tyre kujdesej për rulotin ku flija nga një pikë në tjetrën, sipas distancës që kishim planifikuar për çdo ditë.

Jam ushqyer me sheqer, karbohidrate dhe kafeinë. Kjo ka qenë baza e dietës sime gjatë gjithë rrugëtimit.

Shumica e njerëzve zakonisht vijnë për festa apo raste të veçanta, por kur bëhet fjalë për gjëra që kanë vërtet kuptim, shpesh nuk i japin rëndësi edhe nëse janë shumë afër. Nuk besoj se madje as vëllezërit e mi do të vinin, nëse do të ishin në vendin tim.

Nuk jam vrapues profesionist. E konsideroj veten një amator, edhe pse mund të hyj në rangun e elitës, sepse ajo që po bëj unë është realizuar nga shumë pak njerëz në botë sidomos në terrenin që kam përballuar. Vetëm në javën e dytë kam bërë ngjitje që kalonin 9000 metra në total.

Vrapin e kam nisur rastësisht, më 9 janar 2023, ndërsa isha në palestër me një trajner. Po punonim me kardio dhe dietë, sepse doja të hiqja barkun. I thashë trajnerit se kisha një kantier diku rreth 60 km larg, dhe kështu nisi gjithçka...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco