Një tjetër vatër pozitive e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) është identifikuar në fshatin Zall Bastar të Tiranës. Sëmundja, që është e njohur për ndikimin shkatërrues te dele dhe dhi, ka shpërthyer në disa ferma, duke përhapur shqetësim tek fermerët dhe blegtorët në zonë.
Deri tani, autoritetet kanë konfirmuar 8 ferma të prekura në 6 vatra shpërthimi, dhe për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, kafshët e infektuara po asgjësohen sipas protokolleve strikte veterinare.
Veprimet që po ndërmerren:
Shërbimi Veterinar është në terren dhe po ofron mbështetje të plotë për fermerët duke realizuar:
Marrjen e mostrave për analiza
Monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të kafshëve
Informimin dhe ndërgjegjësimin e fermerëve mbi simptomat e mundshme të PPR-së, si:
Temperatura e lartë
Rrjedhje nga hundët dhe sytë
Diarre
Vështirësi në frymëmarrje
Ulje të oreksit
Përkrahja e fermerëve:
Veterinerët janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje të menjëhershme për çdo rast dyshimi dhe janë të angazhuar për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Bashkëpunimi i fermerëve është jetik për mbrojtjen e blegtorisë shqiptare dhe ndalimin e përhapjes së Murtajës së Ruminantëve të Vegjël.
© SYRI.net