Mjeku: Mbi 50 vizita në ditë, një në 5 pacientë dyshohen me sëmundje tumoriale të lëkurës

09:02, 14/06/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Numri në rritje i pacientëve të diagnostifikuar me sëmundje të rënda të lëkurës, përfshirë forma tumoriale, është kthyer në një shqetësim madhor në Poliklinikën e Fierit. 

Mjeku dermatolog Ermal Sina ka bërë me dije se mbi 50 persona paraqiten çdo ditë me probleme të lëkurës, kryesisht si pasojë e temperaturave të larta dhe ekspozimit të pambrojtur në diell.

“Shumica e rasteve janë alergji, infeksione dhe sëmundje tumorale të lëkurës. Shkaktarët kryesorë janë dielli, pishinat dhe ndotja e mjedisit,” – u shpreh Sina.

Dermatologu thekson se qytetarët, sidomos gjatë sezonit të verës, nuk duhet të mjekohen në mënyrë të gabuar në farmaci, por të drejtohen te specialistët, pasi çdo problem i lëkurës ka nevojë për diagnozë të saktë dhe trajtim të specializuar.

Një tjetër shqetësim janë edhe zonat naftëmbajtëse të Fierit, ku ndotja ka rritur ndjeshëm rastet me sëmundje të rënda dermatologjike.

“Nëse një nishan ndryshon ngjyrë apo formë, është një sinjal i qartë për t’u paraqitur menjëherë te mjeku,” – apelon Sina.

Në fund, mjeku këshillon të shmanget ekspozimi në orët e pikut dhe të përdoren produkte mbrojtëse për lëkurën, për të parandaluar dëmtimet serioze.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco