Fermerët e fshatit Velitërnë prej 30 vitesh vuajnë mungesën e ujit për vaditje.
Ata kanë protestuar këtë të premte në qendër të fshatit ku kanë kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve, pasi uji i pamjaftueshëm dhe me ditë rrezikon të thajë prodhimet bujqësore duke i çuar drejt falimentit. Banorët akuzojnë institucionet përgjegjëse se nuk e menaxhojnë siç duhet shpërndarjen e ujit.
Banorët dhe fermerët e fshatit Velitërnë në njësinë administrative Pirg të bashkisë Maliq kanë protestuar këtë të premte për mungesën e ujit për vaditje. Sipas tyre, sasia e ujit që vjen përmes kanaleve vaditëse është e pamjaftueshme për të përballuar nevojat në këtë periudhë të nxehtë, duke vënë në rrezik të mbjellat bujqësore e duke i çuar në faliment.
Fermerët thonë se kjo problematikë vijon prej 30 vitesh dhe akuzojnë institucionet përgjegjëse se nuk e menaxhojnë siç duhet shpërndarjen e ujit. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për të parandaluar dëmtimin e prodhimeve bujqësore, veçanërisht në kulmin e sezonit.
Kjo problematikë pranohet edhe nga roja e ujit për zonën. Besnik Dervishaj shprehet se është e pamundur të vaditet i gjithë fshati njëkohësisht dhe se i ka kërkuar administratorit të zonës që të shtojë sasinë e ujit në rezervuar për vaditje, por nuk ka pranuar.
Fshati Velitërnë është një nga zonat më prodhuese në bujqësi, veçanërisht për kultivimin e qepës dhe patates – kultura që kërkojnë ujitje të rregullt për të ruajtur rendimentin. Banorët paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa të menjëhershme, dëmet do të jenë të konsiderueshme.
© SYRI.net