Gratë shqiptare janë të njohura prej kohësh për veshjet e tyre tradicionale plot stil e ngjyra, të cilat disa prej tyre i kanë veshur deri vonë.
Dhe pak gra ishin më elegante se ato të Zadrimës, të cilat vishnin mëndafshin dhe shamitë e tyre të punuara me dorë, bluzat prej garze të hollë shoqëroheshin me rripa dhe copa mëndafshi të kuq që binin në sy.
Por kjo dije e lashtë thuajse ishte zhdukur, derisa një grup grash vendase e riktheu punimin e mëndafshit nga humnera e harresës. Sot, ato zotërojnë çdo etapë të prodhimit, nga rritja e krimbave të mëndafshit deri tek endja e këtij materiali të çmuar.
“Historia e mëndafshit” në këtë rajon të Shqipërisë së veriut, i ndodhur mes maleve dhe detit Adriatik, “shkon deri në shekullin e 10-të”, thotë etnologja Afërdita Onuzi për AFP-në.

Mëndafshi shpesh eksportohej dhe vlerësohej shumë nga aristokracia italiane dhe franceze.
Por pas Luftës së Dytë Botërore, regjimi komunist i Shqipërisë e centralizoi të gjithë prodhimin në një fabrikë të vetme për përpunim dhe endje mëndafshi, e cila u shkatërrua tërësisht pas rënies së diktaturës në fillim të viteve ’90.
Pastaj, emigrimi masiv dhe konkurrenca nga fibrat sintetike thuajse e shuan këtë traditë.
Por prej rreth 15 vitesh, Françeska Pjetraj dhe familja e saj, bashkë me gra të tjera në këtë zonë piktoreske, janë përkushtuar për ta ringjallur këtë zanat.
“Është një traditë po aq e vjetër sa edhe vetë Zadrima,” thotë Françeska, 30 vjeçe, e cila ka hapur një punishte me të ëmën, Mimozën.
“Në të kaluarën, gratë këtu visheshin me mëndafsh, ishte një nga kënaqësitë e tyre,” shton ajo.
Si shumë gra në këtë zonë të varfër, ato po endin gjithashtu ëndrra për një jetë më të mirë.

“Këtu gjithçka bëhet në mënyrë artizanale, nga kultivimi dhe nxjerrja e fijeve të mëndafshit deri tek endja dhe përfundimi i produktit,” thotë Mimoza, 54 vjeçe, me profesion infermiere.
– “Janë si foshnje” –
Rajoni i Zadrimës është i përshtatshëm për rritjen e manit të bardhë, gjethet e të cilit janë ushqimi i preferuar i krimbave të mëndafshit.
“Rritja e një krimbi mëndafshi është magjepsëse,” thotë Franceska teksa kujdeset për larvat, të vendosura me kujdes në raftet e një magazine të errët.
“Ato janë si foshnje — kërkojnë po aq përkushtim dhe dashuri sa fëmijët,” shton ajo.
Disa shqetësohen edhe nga zhurma më e vogël, ndërsa të tjerët vijojnë të endin fshikëzat e tyre, duke sekretuar fijet e famshme të mëndafshit.
“Cikli i tyre jetësor zgjat pesë deri në shtatë javë,” thotë Françeska, “dhe gjatë kësaj kohe duhen ushqyer dhe ndjekur me vëmendje të madhe”.
Delikatë dhe tepër të ndjeshëm, krimbat nuk tolerojnë temperatura mbi 28 gradë Celsius, as të ftohtë apo lagështi, e aq më pak pesticide. Madje edhe vetëtimat i trembin shumë.
“Prej fshikëzës në fije dhe nga fija në endje, është një art,” thotë Mimoza. “Kërkon mjeshtëri, durim, por edhe pasion.”
Fshikëzat mblidhen përpara se fluturat të dalin prej tyre. Fillimisht zhyten në ujë të valuar për t’i zbutur, pastaj krihen me një krehër të vogël për të nxjerrë fijet, të cilat më pas shtrihen dhe enden.
Vitin e kaluar, Mimoza dhe e bija arritën të prodhojnë 10 kg fije mëndafshi, të cilat u shndërruan në shaje, funde dhe bluza.
“Fatmirësisht nuk na mungojnë porositë,” thotë Mimoza, “falë cilësisë së lartë dhe çmimeve konkurruese.”

Qindra gra të tjera kanë ndjekur shembullin e tyre në Zadrimë dhe rrethina, duke filluar të rrisin krimba mëndafshi dhe të punojnë mëndafshin në mënyrë artizanale.
Rozana Gostorani, 18 vjeçe, shpreson që një ditë të shohë mëndafshin që ajo end në pasarelat e markave të mëdha të modës.
“Është një zanat shumë i lashtë... dhe një art me cilësi të lartë. Mendoj se shtëpi mode si Versace apo Dolce & Gabbana duhet të frymëzohen nga veshjet që prodhojmë ne këtu,” thotë ajo me buzëqeshje. / AFP – Syri.net
© SYRI.net