Shkencëtarët po lëshojnë paralajmërime serioze për ndryshime ekstreme klimatike, pasi ekziston frika se një sistem kyç i rrymave oqeanike në Atlantik mund të destabilizohet, duke sjellë pasoja të rënda për klimën globale.
Fjala është për Qarkullimin Meridional të Përmbysjes së Atlantikut (AMOC), një rrjedhë e fuqishme që transporton ujë të ngrohtë nga ekuatori drejt veriut dhe ndikon ndjeshëm në klimën e Evropës dhe më gjerë.
Sipas një studimi të fundit, të publikuar në revistën Geophysical Research Letters, ngrohja globale dhe shkrirja e akullit polar po e dobësojnë këtë sistem në mënyrë të ndjeshme, deri në 80%, me rrezikun që ai të shembet plotësisht.
Një kolaps i AMOC do të sillte pasoja të thella në Evropë, përfshirë rënie drastike të temperaturave, sidomos gjatë dimrit.
Qytete si Londra dhe Oslo mund të përjetojnë temperatura deri në -17°C, ndërsa akulli detar mund të shtrihet deri në Skandinavi e në veri të Holandës. Këto kushte të ftohta do të shoqëroheshin edhe me stuhi më të fuqishme, për shkak të ndryshimeve të mëdha në rrjedhën e ajrit midis veriut dhe jugut të kontinentit.
Ndërkohë, valët e të nxehtit nuk do të zhduken, përkundrazi, ato pritet të bëhen edhe më intensive. Kombinimi i kushteve ekstreme të ftohta dhe të nxehta do të krijonte një situatë klimaterike të paparashikueshme dhe rrezikuese.
Ndikimi i dobësimit të AMOC nuk do të kufizohet vetëm në Evropë. Globalisht, pasojat mund të përfshijnë rritje të shpejtë të nivelit të detit, veçanërisht në bregdetin lindor të SHBA-së, rritje të përmbytjeve dhe ndryshime të mëdha në zonat tropikale dhe në modelet e reshjeve.
Edhe pse studimi është bazuar në një model të vetëm simulimi, ai thekson rëndësinë e vigjilencës dhe nevojën për më shumë kërkime në këtë drejtim.
“Edhe pse ka ende pasiguri, vetë mundësia e një kolapsi të tillë është e mjaftueshme për të ngritur një alarm global,” thotë profesori Richard Allen nga Universiteti i Reading-ut.
Ndërkohë, Rene van Westen, studiues në Universitetin e Utrecht-it dhe bashkautor i studimit, paralajmëron: “Shoqëria jonë nuk është e përgatitur për efekte të tilla ekstreme të ftohti. Një kolaps i AMOC do të ishte katastrofik për infrastrukturën, bujqësinë dhe sigurinë ushqimore. Duhet ta parandalojmë me çdo kusht.” Syri.net-iefimerida
© SYRI.net