Katastrofë mjedisore në Shijak, pasi landifillit të paligjshëm të krijuar nga mbetjet e kësaj Bashkie i është vënë flaka. Tymi kancerogjen ka mbuluar të gjithë zonën duke detyruar banorët që të braktisin shtëpitë gjatë natës. Veç katastrofës mjedisore e paligjshmërisë, situata bëhet edhe më skandaloze, pasi vendgrumbullimi I paligjshëm është shkaktuar nga vetë Bashkia dhe kompania që mori tenderin 2 milionë euro për pastrimin e qytetit. Emisioni Piranjat denoncuan skandalin pak kohë më parë, por kryebashkiaku Elton Arbana e mohoi.
Emisioni Piranjat denoncoi pak ditë më parë, landfillin e jashtligjshëm e ndërtuar nga Bashkia e Shijakut në fshatin Hardhisht, ku hidheshin mbetjet e të gjithë qytetit.
Ndërsa zyrtarët e lartë të kësaj Bashkie ishin zhytur në paligjshmëri, asnjë nga institucionet ligjzbatuese nuk reagoi për këtë masakër mjedisore, e kjo Bashki dhe kryebashkiaku Elton Arbana, që mohoi publikisht edhe prezencën e plehrave dhe të vetë Hardhishtës, vijuan hedhjen e mbetjeve në këtë vendgrumbullim të paligjshëm.
Për të zhdukur gjurmët dhe plehrat, të cilat duhet të trajtoheshin në landfillin miliona euro të Sharrës, mbrëmjen e djeshme, këtyre mbetjeve urbane të Bashkisë së Shijakut u është vënë flaka, duke mbytur në tym kancerogjen të gjithë zonën.
Kanë qenë banorët e zonës që kanë denoncuar masakrën mjedisore, që kanë kërkuar ndihmë pranë Syri Tv për të denoncuar skandalin dhe institucioneve për të shuar zjarrin dhe tymin që mbuloi banesat e tyre.
Vetëm në orët e para të mëngjesit ka ardhur edhe ndërhyrja e forcave zjarrëfikse, që kanë ndërhyrë për të shuar zjarrin dhe për të mbuluar mbetjet me dhe, për shuarjen e zjarrit e njëkohësisht për të mbuluar krimin mjedisor.
Për shkak të tymit kancerogjen që mbuloi të gjithë zonën, banorët janë detyruar që të braktisin shtëpitë e tyre gjatë natës dhe të largojnë fëmijët, pasi asnjë prej institucioneve nuk pati gatishmërinë për të vënë situatën në kontroll, e për më tepër për të parandaluar zgjidhjen e ofruar nga Elton Arbana që kohë më parë.
© SYRI.net