Kalimi i automjeteve në aksin rrugor Dragot-Këlcyrë po rrezikohet çdo ditë nga një shkëmb masiv që kërcënon të shembet. Situata, e anashkaluar prej vitesh, sa vjen e përkeqësohet.
Reshjet intensive gjatë dimrit e kanë bërë edhe më të paqëndrueshëm masivin shkëmbor, duke rritur ndjeshëm rrezikun e rrëshqitjes.
Në një prononcim për Syri TV, inxhinieri pranë Autoritetit Rrugor në Gjirokastër, Aristotel Noni, deklaroi se kjo është një problematikë e njohur prej kohësh dhe që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Ai theksoi se, nëse nuk merren masa urgjente, rrezikohet shembja e gjithë trupit të rrugës.
“Në këtë pikë janë bërë ndërhyrje të pjesshme, si riparimi i murit mbajtës, por kjo nuk mjafton. Nevojitet një ndërhyrje e specializuar dhe një studim i detajuar gjeologjik për të parandaluar katastrofën.”
Nëse nuk reagohet në kohë nga institucionet përkatëse, rreziku që sot kërcënon jetën e qytetarëve do të zhduket vetëm nëse rruga aktuale zëvendësohet me një të re.
Deri atëherë, udhëtarët do të mbeten në mëshirë të fatit.
© SYRI.net