Pas më shumë se një jave heshtjeje, ndërsa fëmijët e Kopshtit Publik Nr.1 në Gramsh u përballën me infektim nga salmonela, kryetari i bashkisë Besion Ajazi u perpoq të minimizojë rrezikun, duke e cilësuar situatën “të qetë” dhe duke shmangur fjalën helmim masiv, megjithë simptomat e rënda të disa fëmijëve.
Nga 79 persona të testuar (fëmijë dhe staf), janë konfirmuar 17 raste të salmonelës, pra më shumë se 20% e atyre të ekspozuar, një shifër që duhet të ngrejë alarmin. Megjithatë, kryebashkiaku përsërit se nuk ka përhapje masive dhe situata është nën kontroll — një pretendim që mbetet për t’u verifikuar, pasi analizat vijojnë.
Kryebashkiaku e konsideron situatën të qetë, në një moment kur analizat e fëmijëve tregojnë prani të salmonelës dhe simptomat sipas prindërve kanë qenë të rënda, si dhe vijojnë ende.
"Jemi në ditët e fundit të alerti. Besoj që nuk do të kemi raste të tjera" tha kryetari i bashkisë duke u përpjekur të minimizojë gjendjen alarmante prej 8 ditësh që ka rrezikuar jetën fëmijëve të banorëve që e kanë zgjedhur kryetar dhe që shteti u përpoq ta mbante të fshehur.
Besion Ajazi:
Në ditët e fundit është shfaqur një rast, më pas u bënë dy dhe 6, fëmijë nga i njëjti kopsht që morën ndihmë mjekësore në spitalin e Gramshit, Kjo na vuri në alert. Dua që nëpërmjet jush të sqaroj disa të pavërteta të mëdha në këtë histori tollovitje portalesh, nuk kemi të bëjmë me 72 raste helmimi por 14 raste të konfirmuara ,as me 72 fëmijë të shtruar në spital por 6.
Dëgjova se thuhet se mungon frigoriferi. Frigoriferi është aty, madje i markës ... me ajër.. e i cilësisë së mirë.
Nuk kemi të bëjmë me raste abuzimi, por me një fakt që e dimë mirë të gjithë, që janë evidentuar disa raste me salmonelë në një kopsht publik.
Ushqimi nuk funksionon me katering, por me furnizim nga një kompani dhe me gatim në ambientet e kopshtit me kuzhinier që prej vitesh ushqejnë vogëlushët. Ky është rasti i parë që ka ndodhur. Nuk e dimë ende se çfarë ka ndodhur sepse vijon hetimi. Jemi në alert për gjendjen shëndetësore të vogëlushëve. Fatmirësisht nuk kemi të bëjmë me një rast masiv.
Numri është diku tek 60, 60 e pak fëmijë në atë kopsht kemi vetëm atë numër që është i të prekurve dhe nuk kemi përhapje. Jemi në ditët e fundit të alertit. Besoj që nuk do të kemi raste të tjera.
© SYRI.net