Eksperti kundër ndërtimit të aeroportit të Vlorës: Ndërhyrje agresive, rrezikon shkatërrimin e një ekosistemi të çmuar

10:55, 09/05/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një intervistë për Syri TV, eksperti i mjedisit Lavdosh Ferrunaj është shprehur kundër ndërtimit të aeroportit të Vlorës, duke theksuar pasojat serioze që ky projekt paraqet për ekosistemin natyror të zonës.

Ferrunaj shprehet se ndërtimi në një territor të tillë, që përfshin një nga habitatet më të rëndësishme për faunën e egër në Shqipëri, është një ndërhyrje e panevojshme dhe e rrezikshme.

Ai ngre shqetësimin se ndërtimi i aeroportit kërkon ngritje artificiale të tokës mbi nivelin e detit, çka sjell një kosto të lartë mjedisore dhe financiare, ndërkohë që projekte të tilla mund të realizohen në territore të tjera pa këto pasoja.

Ferrunaj e cilëson ndërhyrjen si agresive dhe shkatërrimtare për një zonë të mbrojtur që strehon një të tretën e specieve kombëtare dhe që prej mijëra vitesh ka funksionuar si një ekosistem i balancuar natyror.

Deklarata:

Pse duhet bërë ky investim? Pse duhet të ngrihet 1 metër mbi nivelin e detit dhe të mos ndërtohet në një vend tjetër, ku nuk është e nevojshme kjo ngritje artificiale? Pse duhet të ndërhyhet pikërisht në këtë zonë dhe të kryhet një investim shtesë, kur ka territore të tjera ku mund të realizohet pa këto kosto të tepërta?

Territori në fjalë është një habitat natyror i faunës së egër, me një vlerë të jashtëzakonshme ekologjike. Përgjigjja është e thjeshtë: në këtë zonë po ndërhyhet në mënyrë agresive për shkak të një forme tjetër edhe më të madhe agresiviteti, që po shkakton dëme serioze ndaj ekosistemit.

Kjo është një ndërhyrje e dhunshme në një territor të qetë, një ekosistem i krijuar nga natyra prej mijëra vitesh, me një diversitet të jashtëzakonshëm biologjik. Pikërisht në këtë zonë, nga Vjosa në Nartë, ndodhet një e treta e të gjitha specieve kombëtare. Kjo e bën ndërhyrjen edhe më shqetësuese, sepse, si shkenca ashtu edhe politika, e kanë shpallur këtë zonë si të mbrojtur.

Megjithatë, ndërhyrja po bëhet në mënyrë të ashpër për të ndërtuar një aeroport gjigand, më të madhin në Ballkan, i cili do të presë edhe avionë transoqeanikë. Kjo përbën një rrezik serioz për të gjithë ekosistemin e zonës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco