Ka nisur në Vatikan ceremonia e lamtumirës së Papa Françeskut.
Mesha do të zhvillohet në disa gjuhë italisht, anglisht dhe spanjisht ndërsa lutjet universale do të lexohen edhe në frëngjisht, arabisht, portugalisht, polonisht, gjermanisht dhe kinezisht.
Që prej orës 05:30 të mëngjesit, Sheshi San Pietro është hapur për besimtarët, të cilët me mijëra kanë kaluar natën jashtë në pritje për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Papa Françeskut.
Roma dhe Vatikani janë të blinduara me masa të larta sigurie nga ajri dhe toka.
Besimtarët hyjnë në Sheshin San Pietro përmes korridoreve të organizuara, ku çdo person kontrollohet me detektor metali.
Parashikohet të marrin pjesë mbi 250 mijë vetë në këtë ceremoni, si dhe 164 delegacione nga vende të ndryshme të botës.
Delegacionet e para që do të pozicionohen pranë hyrjes së Bazilikës së San Pietros janë ai nga Argjentina – vendlindja e Papa Françeskut – dhe nga Italia.
Më pas, delegacionet e tjera do të orientohen drejt ulëseve, sipas rendit alfabetik në gjuhën frënge, e cila është edhe gjuha zyrtare e protokollit në Vatikan.
Të pranishëm në varrim janë edhe 220 kardinalë dhe 750 peshkopë e priftërinj.
Ceremonia mortore do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë rreth 90 minuta.
Meshën e Shenjtë do ta drejtojë Giovanni Battista Re, që është edhe Dekani i Kolegjit të Kardinalëve.
Në fund të meshës do të zhvillohet lutja "Ultima commendatio e la Valedictio", që ia beson tokës trupin e të ndjerit, e cila do të lexohet nga kardinali Reina dhe patriarku Youssef Absi.
Mesha do të zhvillohet në disa gjuhë: italisht, anglisht dhe spanjisht, ndërsa lutjet universale do të lexohen edhe në frëngjisht, arabisht, portugalisht, polonisht, gjermanisht dhe kinezisht.
Më pas, rreth orës 11:30, trupi i Papa Françeskut do të udhëtojë drejt Bazilikës Santa Maria Maggiore, vendi i zgjedhur prej tij për t’u varrosur.
Trupi i Papës do të transportohet me një automjet të hapur (Papamobile), siç e ka përdorur shpesh gjatë papatit të tij.
Rrugëtimi është rreth 4 kilometra dhe do të zgjasë rreth 30 minuta.
Rreth orës 12:00, trupi i Papa Françeskut do të pritet në Bazilikën Santa Maria Maggiore nga një grup simbolik personash të përbërë nga emigrantë, të burgosur, të pastrehë dhe persona të komunitetit LGBT.
Ceremonia e varrosjes do të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe do të drejtohet nga kardinali Kevin Farrell, i emëruar për të udhëhequr Kishën deri në zgjedhjen e Papës së ri.
© SYRI.net