Në Vatikan kanë mbërritur 164 delegacione shtetesh dhe përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare, të cilët do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut. Mbrëmjen e kaluar, në orën 20:00, në Altarin e Rrëfimit në Bazilikën e Shën Pjetrit, u zhvillua riti i mbylljes së arkivolit të Papës së ndjerë. Ceremonia u drejtua nga Kardinali Camerlengo dhe Mjeshtri i Festimeve Liturgjike, i cili lexoi aktin zyrtar që u vendos brenda arkivolit në fund të kremtimit.
Në këtë moment solemn morën pjesë edhe disa anëtarë të familjes së Papa Françeskut. Riti u zhvillua sipas përshkrimeve të “Ordo Exsequiarum Romani Pontificis”, duke respektuar traditën e varrimit të papëve në Kishën Katolike. Gjatë gjithë natës, pranë trupit të Papës, besimtarët vijuan lutjet deri në përgatitjet për Meshën e Shenjtë të mëngjesit të sotëm.

Sipas Zyrës së Shtypit të Vatikanit, në ceremoninë e varrimit do të jenë të pranishëm presidentë, kryeministra dhe drejtues të institucioneve botërore e europiane. Po ashtu, do të marrin pjesë përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare. Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë do ta përfaqësojnë Shkëlqesia e Tij Anastas, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.
Gjatë tre ditëve të homazheve, një fluks i vazhdueshëm pelegrinësh vizituan Bazilikën, e cila qëndroi e hapur deri në orët e vona të natës. Eshtrat e Atit të Shenjtë ishin të ekspozuara nga e mërkura deri të premten në mbrëmje, duke ofruar mundësinë e fundit për përulësi dhe reflektim.
Kortezhi i varrimit zgjati mbi një orë, në një ritëm solemn, duke përfshirë kardinalë, të afërm dhe zyrtarë të Kishës. Për të garantuar sigurinë në qytetin e izoluar të Romës, mbi 4,000 forca policie dhe 4,000 vullnetarë të Mbrojtjes Civile u angazhuan në terren. Mbi 1,500 autobusë mbërritën në qytet me besimtarë dhe delegacione.
Nëceremoninë e sotme pritet pjesëmarrja e 160 delegacioneve ndërkombëtare, përfshirë 12 sovranë, 52 krerë shtetesh dhe 14 kryeministra. Ndër të pranishmit priten të jenë edhe Princ William, drejtues të institucioneve ndërkombëtare dhe figura të larta fetare dhe politike nga e gjithë bota./ Alba Kepi për Syri.Net
© SYRI.net