Pasiguria ushqimore në vendin tonë është në nivele alarmante. Qytetarët shqiptarë janë gjithnjë e më të pasigurt lidhur me ushqimet që konsumojnë, sidomos pas njoftimeve për prani të pesticideve në shumë ushqime që përdoren për konsum të përditshëm.
Për Syri Tv ata shprehen se ushqimet e pakontrolluara përbëjnë shqetësim dhe rrezik për organizmin e tyre.
Ekspozimi i vazhdueshëm dhe konsumimi për një kohë të gjatë i ushqimeve me prani pesticidesh është shkak edhe për shfaqjen e sëmundjeve kancerogjene. Kështu bën me dije mjekja onkologe Kleida Mati, e cila tregon se këto sëmundje janë në rritje dhe po shfaqen edhe tek moshat e reja.
Sipas mjekes onkologe Kleida Mati, përveç ushqyerjes ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjeve kancerogjene, siç është duhanpirja apo ndotja e ajrit.
Pasiguria ushqimore në vendin tonë por edhe stili i jetesës po kthehen në rrezik për qytetarët, ndaj ekspertët e shëndetit bëjnë apel për të treguar kujdes e për t’u orientuar drejt një mënyre jetese të shëndetshme, duke shmangur veset e këqija dhe duke u ushqyer shëndetshëm.
© SYRI.net