Zogjtë e Parajsës përdorin biofluoreshencën për të tërhequr partnerët

Zogjtë e Parajsës përdorin biofluoreshencën për të tërhequr partnerët

14:38, 20/03/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Zogjtë e parajsës janë ndër krijesat më madhështore në Tokë, me pendë të gjata dhe të ndërlikuara në nuanca mahnitëse të verdhës, kaltërsisë dhe të kuqes. Natyralistët i kanë admiruar për shekuj me radhë, por me sa duket, nuk e kanë ditur të gjithë historinë e tyre.

Sikur ngjyrat e tyre të ndezura të mos mjaftonin, një studim i fundit ka zbuluar se këta zogj, të cilët jetojnë në Australi, Indonezi dhe Guinea e Re, janë gjithashtu biofluoreshentë. Lëkura dhe pendët e tyre thithin dritën me gjatësi vale të larta dhe më pas e rishfaqin atë në gjatësi vale më të ulëta, të dukshme për zogjtë e tjerë si një e verdhë-jeshile e shndritshme. Me fjalë të tjera, ata përdorin rrezet e diellit për ta bërë paraqitjen e tyre edhe më mahnitëse.

Vetë biofluoreshenca nuk është ndonjë lajm i madh; ajo shfaqet në shumë kafshë, përfshirë edhe njerëzit (dhëmbët tanë shkëlqejnë nën dritën ultravjollcë). Por në shumicën e rasteve ose nuk ka ndonjë funksion të qartë, ose përdoret për kamuflazh.

Ky rast, sipas autores kryesore të studimit, Rene Martin, biologe në Universitetin Nebraska-Lincoln, është një nga të paktët ku biofluoreshenca me shumë gjasa përdoret si një sinjal. “Kjo është ajo që e bën kaq të rrallë,” thotë ajo.

Zogjtë e parajsës kanë evoluar për të pasur një shkëlqim optimal me një qëllim të qartë: të komunikojnë atraktivitetin e tyre. Ashtu si shumë nga tiparet e tyre të jashtëzakonshme, biofluoreshenca duket se i ndihmon për të joshur partnerët e mundshëm.

"Femrat janë shumë përzgjedhëse," thotë Martin, "dhe meshkujt priren të jenë shumë të dukshëm. Biofluoreshenca është vetëm një komponent i vogël i kësaj."

Martin dhe kolegët e saj testuan të 45 llojet e njohura të zogjve të parajsës, duke përdorur mostra nga Muzeu Amerikan i Historisë së Natyrës, dhe zbuluan biofluoreshencë te 37 prej tyre. Kjo sugjeron se paraardhësi i tyre i përbashkët kishte gjithashtu këtë aftësi, ndërsa për ndonjë arsye, tetë specie e humbën atë me kalimin e kohës.

Në speciet që ruajtën biofluoreshencën, ky tipar është diversifikuar në mënyrë të jashtëzakonshme për shkak të selektsionit seksual, një forcë më pak e njohur e evolucionit që, krahas seleksionit natyror, formëson zhvillimin e specieve. Nëse seleksioni natyror favorizon të fortët, seleksioni seksual favorizon të bukurit: individët më të dëshirueshëm kanë më shumë gjasa të transmetojnë gjenet e tyre.

Përzgjedhja e kujdesshme nga femrat mund të krijojë një efekt zinxhir, ku tiparet e ekzagjeruara bëhen gjithnjë e më të theksuara nga brezi në brez, madje edhe deri në pikën e kundërshtimit me seleksionin natyror, për shembull, një zog i parajsës mashkull është i dukshëm jo vetëm për partnerët e mundshëm, por edhe për grabitqarët.

Megjithatë, preferenca seksuale është një forcë e fuqishme formuese. Dhe duke qenë se zogjtë kanë një shikim të jashtëzakonshëm, me një aftësi për të dalluar ngjyrat që rivalizon atë të çdo kafshe tjetër, nuk është për t’u habitur që këto krijesa kanë evoluar një pamje kaq spektakolare.

Përveç biofluoreshencës, zogjtë e parajsës kanë edhe një tjetër truk vizual për t’u dalluar nga sfondi i zhurmshëm i pyllit. Një studim i vitit 2018 zbuloi se ngjyrat e tyre nuk janë vetëm më të ndritshme, por edhe zonat përreth janë më të errëta, ata kanë evoluar pendë "super të zeza", të cilat thithin më shumë dritë sesa pendët e zogjve të tjerë. Ky efekt i "vrimës së zezë" krijon një kontrast të fortë dhe joshës.

Disa specie i hapin këto pendë përreth fytyrës, duke krijuar një aureolë të errët, dhe më pas hapin gojën e tyre biofluoreshente për t’u vlerësuar nga partnerët e mundshëm. Tek disa specie të tjera, femrat i vëzhgojnë meshkujt nga sipër, prandaj meshkujt hapin pendët në formë fundesh për të izoluar një shkëlqim biofluoreshent në majën e kokës.

Ata madje zgjedhin me kujdes vendin e tyre të shfaqjes për të përfituar sa më shumë nga drita e diellit që është në dispozicion të tyre. Siç shprehet Martin, "ata luajnë me burimin e dritës për të rritur shkëlqimin e tyre."

Image

Duke qenë se biofluoreshenca shpesh është një efekt anësor i strukturës së indeve të kafshëve, nuk mund të supozohet automatikisht se ka një funksion të veçantë. Për t’u siguruar që ajo ka një rol tek zogjtë e parajsës, ekipi i Martin ndoqi një kuadër me pesë kritere. Ata arritën të vërtetonin katër prej tyre. Pigmentet janë të përshtatura për të thithur dritën në habitatin e tyre natyror. Biofluoreshenca shihet në sfond kontrasti. Gjendet në pjesët e duhura të trupit. Sytë e zogjve janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj gjatësive valore të dritës së rishfaqur.

Megjithatë, ka ende një pyetje të hapur: A ndryshon sjellja e femrave kur e shohin këtë efekt? Për ta testuar këtë, studiuesit duhet të krahasojnë suksesin riprodhues të meshkujve me dhe pa biofluoreshencë. Kjo do të kërkonte një grup kontrolli ku biofluoreshenca të ishte “çaktivizuar” duke bllokuar dritën UV që e shkakton atë.

Sigurisht, ne nuk mund ta fikim diellin, por mund të jetë e mundur të realizohet një eksperiment i tillë me zogj në robëri nën ndriçim artificial. Dhe duket se hapat e parë janë hedhur, menjëherë pas publikimit të studimit të saj, Martin mori një email nga një kujdestare kopshti zoologjik, e cila ofroi bashkëpunim.

Ajo nuk u habit kur mësoi se zogjtë e parajsës ishin biofluoreshentë. “Sa herë që shoh pendët e tyre,” kujton Martin se ajo i tha, “ndiej që duhet të ketë diçka më shumë.” / Earth - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco