SYRI TV
Ballokumja mbetet simboli i Ditës së Verës në Elbasan, ku familjet e vjetra vijojnë ta përgatisin sipas recetave të trashëguara brez pas brezi. Euglen Baku rikthen traditën e kësaj ëmbëlsire, duke theksuar rëndësinë e përbërësve cilësorë dhe teknikave të veçanta që i japin shijen autentike.
Qytetarët elbasanas po përgatiten për të festuar Ditën e Verës, festën tradicionale të qytetit, ku simboli kryesor mbetet ëmbëlsira e Ballokumes. Edhe pse me kalimin e viteve receta origjinale ka pësuar ndryshime, shumë familje elbasanase vijojnë ta përgatisin sipas metodave të trashëguara brez pas brezi.
Euglen Baku, bukëpjekës në Elbasan, për Syri Televizion risjell recetën autentike të ballakumes, të trashëguar nga familja e tij. Ai thekson se për një rezultat të suksesshëm, përveç pasionit dhe përkushtimit, cilësia e përbërësve është thelbësore.
Receta e vërtetë e ballokumes mbetet ende një mister për shumë kuzhinierë, pasi me kalimin e viteve disa teknika janë harruar. Megjithatë, familjet elbasanase kanë ruajtur traditën duke e trashëguar nga brezi në brez, ku çdo detaj i përgatitjes lidhet me kujdesin dhe dashurinë për traditën.
Një tjetër element i rëndësishëm në përgatitjen e ballakumes është temperatura e ambientit, e cila duhet të jetë e ngrohtë për të siguruar një strukturë të butë dhe të shkrifët të ëmbëlsirës.
Ballokumja e Elbasanit tashmë ka fituar popullaritet përtej kufijve të qytetit dhe është kthyer në një simbol të traditës shqiptare. Interesi për këtë ëmbëlsirë tradicionale është rritur ndjeshëm, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga turistët e huaj, të cilët kërkojnë të shijojnë një pjesë të kulturës sonë.
Falë ruajtjes së traditës nga familjet elbasanase dhe interesit në rritje të vizitorëve, ballokumja tashmë ka fituar një vend të rëndësishëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trevat shqipfolëse, duke u bërë një pasuri e veçantë e gastronomisë sonë.
© SYRI.net