SYRI TV
Familja e Niko Qirjazit që ka lënë Greqinë për të jetuar ne Shqipëri jeton në skamje. Kryefamiljari shprehet se së bashku me tre djemtë jeton në një dhomë dhe nuk përfiton as ndihmë ekonomike. Ai i bën apel Bashkisë së Kolonjës, por edhe institucioneve te tjera ta ndihmojnë, pasi situata në të cilën po jeton është e vështirë
Është kthyer në vitin 2012 nga Greqia për të jetuar në Shqipëri, së bashku me familjen e tij. Por Niko Qirjazi është përballur me papunësi dhe skamje, teksa nisi te jetojë në Ersekë. Ai shprehet se aktualisht jeton ne një dhomë së bashku me tre djemtë e tij, teksa me bashkëshorten është në proces divorci, pasi marrëdhëniet brenda familjes janë bërë të ndërlikuara për shkak të gjendjes ekonomike.
Pavarësisht kushteve të vështira, institucionet shtetërore nuk kanë ndërhyrë për ta ndihmuar. Asnjë mbështetje nuk është ofruar për të përmirësuar kushtet e strehimit të familjes. Madje, Niko nuk përfiton as ndihmë ekonomike, me arsyetimin se zotëron një mjet transporti, të cilin e përdor rrallë për nevojat familjare.
Historia e tij është një pasqyrë e realitetit të vështirë që përballen shumë familje në Shqipëri, të cilat institucionet kujtohen në kohë fushatash por duke mos marrë asnjë zgjidhje.
© SYRI.net