7 Marsi – Festa e Hipokrizisë dhe Përdhosjes së Mësuesit

7 Marsi – Festa e Hipokrizisë dhe Përdhosjes së Mësuesit

09:52, 07/03/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Irma Marku/

Sot është 7 Marsi, dita kur supozohet të nderojmë mësuesit. Por, çfarë ndodh në të vërtetë sot..!)?

Kjo e sotëshmja, është dita kur qeveria del e reciton fjalime boshe, kur politikanët bëjnë postime pompoze në rrjetet sociale dhe kur ca drejtorë shkollash u japin nga një copë çokollatë mësuesve, duke i përgëzuar për "sakrificën e tyre të madhe".

Ndërkohë, e vërteta është krejt ndryshe: mësuesia sot është një ndër profesionet më të nëpërkëmbur, më i keqpaguari dhe më i nëpërbuzuri nga vetë shteti dhe shoqëria.

Kush është mësuesi sot?

Një punonjës i shfrytëzuar që merr një rrogë qesharake përballë çmimeve që rriten çdo ditë.

Një intelektual i zhveshur nga autoriteti, që detyrohet të përballet me prindër arrogantë e fëmijë të paedukuar, ndërsa sistemi u jep më shumë të drejta atyre sesa atij.

Një profesionist i dërrmuar nga burokracia, i cili kalon më shumë kohë duke plotësuar letra e raportime absurde sesa duke mësuar fëmijët.

E megjithatë, sot do të dëgjojmë fjalime të mëdha: "Mësuesi është drita!", "Mësuesi është shtylla e shoqërisë!" – fjalë prej boshi që vdesin sapo mbaron ceremonia. Sepse nesër, kur një mësues të kërkojë një pagë dinjitoze, do t’i thuhet: "Nëse s’të pëlqen, ik!" Kur ai të kërkojë kushte më të mira pune, do t’i thuhet: "Puna e mësuesit është mision!" Pra, një mision i vështirë, por me pagë minimale.

Komuniteti dikur e nderonte mësuesin. Sot, mësuesi është shndërruar në një shënjestër për prindërit që duan nota falas për fëmijët e tyre dhe për nxënës që s’e njohin më as respektin dhe as disiplinën. Për shtetin, ai është thjeshtë një numër në listën e pagave të ulëta, një zë që duhet të heshtë e të pranojë gjithçka pa ankim.

Dhe kur flasim për arsimin, duhet ta bëjmē duke risjellē nē memorje ato fytyra që e kanë marrë në duar dhe e kanë shkatërruar me "përkujdesje të padiskutueshme". Po flasim për Lindita Nikollën, që gjatë mandatit të saj u kujdes të thellojë gjithçka që ishte e dështuar më parë; Besa Shahinin, që, nën maskën e një reforme të "shkëlqyer", rriti më shumë korrupsionin dhe me indiferencën e saj përmbyti çdo shpresë për cilësi në shkolla; Evis Kushin, që më shumë merrej me skandale e sekuestro rruge sesa me përmirësimin e realitetit të vështirë të arsimit; dhe përfundimisht Ogerta Manastirliun, që po bën "karrierën" e saj duke mbështetur edhe njëherë minimin e çdo mundësie për një arsimin të vërtetë.

A mund të lemë në harresë Erion Veliajn në gjithë këtë...?! Kryebashkiaku i Tiranës që, për të mbushur xhepat me ndihmën e tenderave dhe pastrimin e imazhit politik, përdori çdo mundësi për të “modernizuar” shkollat me fasada të shtrenjta e shkatërruar çdo mundësi për zhvillimin e mësimit të vërtetë. Nën administratën e tij, shkollat janë kthyer në kantina për propagandën e këtij tē fundit, ndërsa mësuesit mbeten në varfëri e pa mbështetje. Ajo që Veliaj bëri më sē miri ishte tē kujdesurit për "mbushjen e barkut" të atyre që e duan paranë publike, të dhënit e kontratave të dyshimta e të shiturit e një qytei fasadë, ndërsa arsimi dhe mësuesi mbetën nën të tjera duar.

Ajo që këto ministre dhe ky kryebashkiak kanë të përbashkët, përveç mungesës së vizionit dhe dashurisë për arsimin, janë aferat korruptive që i kanë shoqëruar gjatë gjithë periudhës së qeverisjes. Investime të dyshimta, tendera të manipuluar, dhe shkolla të shkatërruara që mbeten në harresë. E megjithatë, sot do të dëgjojmë që ky "sistem i reformuar" do të ketë gjithë sukseset që s’kanë ekzistuar kurrë.

Shqiptarë!

Nëse doni vërtet ta nderoni mësuesin, ngrini zërin për të! Ndryshe, çdo 7 Mars do të mbetet thjesht një këngë mortore për arsimin shqiptar. Një këngë e cila, çdo vit, do të bëhet më e shurdhët, më e varfër dhe më e zbrazët, si një kambanë që tringëllon në një kishë të braktisur. Asnjë lule, asnjë flamur nuk mund ta mbulojë këtë plagë të hapur që

ka shuar çdo mundësi për ndriçim, çdo shpresë për rritje, çdo ëndërr të një arsimimi të vërtetë.

Mësuesi, ky drith që duhet të ngjallë bijtë e shoqërisë, është kthyer në një hije të ftohtë, një shkop që mbështet mbi një mur të shembur.

Një 7 Mars pa veprim është një kalim përmes një rruge të mbushur me ferrë dhe dhembje, ku çdo hap është një goditje mbi trupin e mësuesit. Dhe kur të vijë dita që të shuhen plotësisht dritat në këtë shteg të mbushur me hije, do të kuptojmë se kemi shitur shpirtin tonë për ndihmën e një regjimi të shurdhër, për të dhënë çfarë mundëm dhe për të marrë ato pak thërrime të pushtetit që na lënë. Ky është fundi i një shteti që e ka harruar arsimin, një varr i thellë i mbuluar nga po ato gënjeshtra të cilat ngrirë çdo ditë çdo shpresë.

Siç thoshte Nietzsche, “Ata që luftojnë me monstërat duhet të kujdesen që të mos bëhen vetë monstra!

Dhe kur shikon thellë në errësirë, errësira gjithashtu sheh brenda teje.” Kështu, kur një shoqëri e braktis arsimin dhe mësuesin, ajo çka sheh brenda vetes është vetëm errësirë. Një zezonë që teksa mbërthen, nuk lë asnjë mundësi shpëtimi.

Mosgëzuarëshi 7 Marsin varrmihës tē DIJES të çfarëdo ngjyre [‼️]

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco