Banorët e Tragjasit janë zgjuar mëngjesin e kësaj të marte të rrethuar nga forca të shumta të policisë dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Punonjës të policisë të ardhur në këtë zonë për të ruajtur firmën e cila ka nisur punimet për të marrë ujin e Tragjasit dhe ta dërgojë në resoret e Dhërmiut, janë përplasur me banorët. Këta të fundit kanë kundërshtuar ndërhyrjen e fadromave për prishjen e disa godinave pranë burimit të ujit të Izvorit. Përplasjet mes tyre dhe forcave të policisë janë përshkallëzuar, duke degjeneruar edhe në konfrontime fizike.
Banorët shprehen se nuk do të lejojnë marrjen e ujit nga burimi i Tragjasit dhe do të qëndrojnë deri në fund pasi nuk kanë asgjë tjetër veç ujit
Banorët e fshatit Tragjas në Vlorë prej kohësh kundërshtojnë projektin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve marrjen e burimeve të ujit të fshatit për të furnizuar resortet në bregdetin e Dhërmiut. Punimet për këtë projekt filluan në fillim të shkurtit, por komuniteti i kësaj zone nuk është pyetur fare.
© SYRI.net