'Qëllimi nuk është dënimi por riintegrimi'/ Bici: Në vend që të fokusohemi vetëm te SPAK, duhet të parandalojmë kriminalitetin te të miturit

10:17, 18/02/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në studion e “Kafe Shqeto” në SYRI TV, avokati Henri Bici ngriti një shqetësim serioz mbi të miturit dhe përplasjen e tyre me ligjin. Në një diskutim me moderatorin Flavio Qarri, ai vuri theksin te problematika e kriminalitetit në rritje mes të rinjve dhe mungesa e zbatimit efektiv të ligjit. 

Sipas tij, kuadri ligjor ekzistues është i plotësuar, por shpesh ngelet vetëm në letër, pasi ekzekutimi i tij varet nga institucionet dhe profesionistët e drejtësisë. Bici argumentoi se dhuna mes të miturve është bërë më e ashpër, duke përfshirë përdorimin e armëve të ftohta, të cilat tashmë janë kthyer në një fenomen të zakonshëm. Ai shpjegoi se mosha e përgjegjësisë penale në Shqipëri është 14 vjeç, çka nënkupton nevojën për një qasje më të kujdesshme rehabilituese.

Për këtë arsye, sipas tij, psikologët duhet të jenë të pranishëm në çdo fazë të procesit penal për të ndihmuar në integrimin e këtyre të miturve. Avokati vuri në dukje edhe nivelin e lartë të recidivizmit, duke theksuar se mungesa e masave të duhura çon në përsëritjen e sjelljeve kriminale. Në fund, ai paralajmëroi se neglizhenca ndaj këtij fenomeni mund të ndikojë në rritjen e grupeve kriminale në të ardhmen, duke e cilësuar situatën si një emergjencë kombëtare.

Bici:

Ne kemi një kuadër ligjor goxha të kompletuar në këtë fushë, por gjithmonë ky ngelet në letra sepse zbatimi bëhet nga njerëzit dhe punonjësit që duhet të merren me ligjin.

Ne kemi ligjin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, i cili është miratuar në 2017 dhe mbron si fëmijët në konflikt me ligjin, ashtu edhe kur janë viktima të një vepre penale.

Ajo që vëmë re është se është rritur kriminaliteti te fëmijët, por edhe lloji i krimit; pra, kemi të bëjmë me krime ndaj personit, jetës dhe shëndetit. Të miturit janë bërë shumë agresivë, po ta shohim edhe nga mjetet që përdorin.

Armet e ftohta tashmë janë bërë krejt normale në përditshmërinë e të miturve, sepse, kini parasysh nga ana kriminologjike, të godasësh dikë me një armë zjarri është një moment, por ta godasësh me armë të ftohtë për disa herë… kjo tregon për agresivitetin që kanë këta fëmijë.

Gjatë një procesi penal, marrim rastin kur këta fëmijë çohen përpara organeve ligjzbatuese, sepse mosha për mbajtjen e përgjegjësisë penale është 14 vjeç. Atëherë, këtu duhet të kemi edhe rolin e psikologëve në çdo fazë që ndiqen këta të mitur, si në fazën e hetimeve ashtu edhe në fazën e gjykimit. Gjatë gjithë këtij procesi duhet të bëhet një plan individual për këtë të mitur, sepse qëllimi nuk është në vetvete dënimi, por rehabilitimi dhe riintegrimi i tij në shoqëri.

Për më tepër, kemi edhe një problem tjetër: recidivizmi është shumë i lartë. Të miturit që janë në kontakt me ligjin kthehen prapë aty, dhe çfarë sjell kjo? Këta të mitur bëhen përsëritës. Kjo tregon që ka dështuar i gjithë procesi i rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri.

Për mendimin tim, është një emergjencë kombëtare, sepse të gjitha institucionet janë fokusuar te SPAK-u, te kriminelët e mëdhenj që kap SPAK-u, por duhet të kemi parasysh që edhe ata kanë një të kaluar, pra kanë një dosje penale që në fëmijëri. Ndoshta, po të bëhet identifikimi në kohë, nuk do të jetë nevoja të shkojmë deri te grupet e strukturuara kriminale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco