Bashkia e Durrësit ka nxjerrë në zbatim një urdhër të ri për lëvizjen e automjeteve brenda unazës së qytetit bregdetar. Prej datës 15 janar dhe deri në 15 maj 2025, me qëllim riorganizimin e lëvizjes së automjeteve, lehtësimin e qarkullimit dhe eliminimin e pengesave që sjellin trafik të rënduar në qytet gjatë ditëve të javës, duke shkaktuar vonesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve, është kërkuar kufizim i qarkullimit të mjeteve ATP (automjete të transportit të përzier) dhe ATV (automjete të transportit të veçantë) në dy fasha orare të përcaktuara.

Sipas njoftimit zyrtar të Bashkisë së Durrësit, për shkak të kësaj situate, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së automjeteve në qytet dhe për t’i dhënë përparësi qytetarëve të cilët shkojnë në punë apo dërgojnë fëmijët në shkolla, kopshte, çerdhe, urdhërohet kufizimi në zonat si: Zona përgjatë rrugës “Adria”, “Stefan Kaçulini”, rruga “Glaukia”, rruga “Hysen Kërtusha”, rruga “Aleksandër Goga” (nga Drejtoria e Policisë deri tek Prefektura), Rruga e Dëshmorëve, bulevardi “Epidamn”, rruga “Egnatia”, rruga “Taulantia”, rruga e Currilave, rruga “Mars 91”, si dhe të gjitha segmentet rrugore në brendësi të unazës së përcaktuar sipas hartës.

Sipas njoftimit zyrtar të bashkisë së Durrësit, ndalimi i qarkullimit do të bëhet për mjetet ATP (automjet të transportit të përzier) dhe me ngarkesë të përgjithshme, me masë maksimale të autorizuar nga 1,4 tonë deri në 6,5 tonë, nga e hëna në të premte, gjatë orarit 07:00- 09:00 dhe 16:00-18:00, ndalimi i qarkullimit të mjeteve me tonazh të rëndë ATV (automjete të transportit të veçantë) me masë maksimale të autorizuar mbi 6,5 tonë (betoniere, kamionë, trajler, etj.).
“Subjektet tregtare do të kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese sipas orarit përkatës dhe sinjalistikës së vendosur. Lejohet qarkullimi i të gjitha mjeteve të policisë, urgjencës, zjarrfikësve, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Durrës, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Plazh, Agjencisë së Parqeve Urbane, Ndërmarrjes Rruga dhe mjetet e transportit publik urban. Qarkullimi i mjeteve gjatë kufizimit të vendosur nëpërmjet këtij urdhri, do të kryhet vetëm sipas autorizimeve përkatëse të lëshuar nga Bashkia Durrës”, thuhet në njoftimin e kësaj bashkie.

© SYRI.net