Gripi i shpendëve, Resuli: Situata është alarmante, ja këshillat që duhet të ndjekin fermerët dhe konsumatorët

11:05, 15/01/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri TV, eksperti për çështjet e blegtorisë, Ervin Resuli, ka komentuar mbi situatën shqetësuese të gripit të shpendëve, një fenomen në rritje në vendin tonë.

Resuli theksoi se ndonëse për momentin konsumatorët nuk përballen me rrezik të drejtpërdrejtë, situata kërkon vëmendje të shtuar. Ai sqaroi se gripi është përhapur kryesisht te shpendët e oborrit dhe aktualisht nuk ka ndikim masiv në zinxhirin ushqimor.

Megjithatë, rreziku mund të rritet nëse preken pularitë dhe kapanonet e mëdha, siç ndodhi në vitin 2022. Eksperti bëri thirrje që konsumatorët të rrisin higjienën në kuzhinë dhe të gatuajnë produktet e shpendëve në temperatura të larta për siguri shtesë. Në aspektin veterinar, ai e cilësoi situatën alarmante, duke theksuar përhapjen e infeksionit në të gjithë territorin. Resuli sugjeroi masa parandaluese për fermerët, si shmangia e kontaktit me shpendët e egër dhe rritja e higjienës në fermat e tyre.  

 

'Një nga veçoritë negative të fermerit shqiptar në këto 34 vite, që është shfrytëzuar kryesisht nga qeveritë që kanë kaluar në Shqipëri, ka qenë kjo: fermeri shqiptar nuk ka organizimin e duhur për të arritur që ta bëjë këtë gjë ose ta bllokojë. Por, në mënyrë të heshtur, ai e ka braktisur prodhimin vendor. Si pasojë, sot kemi fshatra që nuk ekzistojnë më, pra nuk kanë më popullsi rurale; kemi zona ku tokat janë lënë djerr dhe nuk kultivohen më kultura që dikur kultivoheshin, e kështu me radhë.

Pra, thënë ndryshe, fermeri dhe blegtori shqiptar e kanë ulur ritmin e punës dhe intensitetin e aktivitetit të tyre në krahasim me vitet e shkuara. Në një formë të heshtur, prodhimi vendor po braktiset pa një organizim të qartë. Si rezultat, prodhimi po ulet në tërësi.

Sa i përket gripit të shpendëve, deri në këto momente që po flasim, duke marrë në konsideratë vatrat e identifikuara pozitive, konsumatori nuk përballet me asnjë lloj rreziku. Kjo sepse bëhet fjalë për shpendë oborri, të cilët nuk kanë ndikim masiv në zinxhirin ushqimor. Megjithatë, nëse situata përkeqësohet, siç ishte rasti i vitit 2022, kur u prekën pularitë dhe kapanonet e mëdha të shpendëve, atëherë rreziku për konsumatorin mund të rritet.

Aktualisht, konsumatori nuk është në rrezik, por duhet të rrisë higjienën në kuzhinë. Produktet dhe nënproduktet me origjinë nga shpendët duhet të gatuhen në temperatura të larta, duke garantuar një siguri paraprake.

Në nivel veterinar, situata është alarmante. Infeksioni është i përhapur në të gjithë territorin dhe është e vështirë të kontrollohet, veçanërisht duke marrë parasysh se nga janari deri në maj kemi lëvizje të shpendëve migratorë, të cilët janë bartës të këtij infeksioni dhe e transmetojnë në fermat vendore.

Për fermerët, këshilla kryesore është të shmangin afrimin e shpendëve të egër pranë kotecëve, qymezeve apo pularive të tyre. Duhet të sigurojnë që shpendët e egër të mos kenë qasje te ushqimi ose uji në fermat e tyre, pasi kjo mund të sjellë virusin. Gjithashtu, duhet të rritet niveli i higjienës dhe dezinfektimit, të kufizohet hyrja dhe dalja e njerëzve të panevojshëm në fermat e tyre, etj.'- u shpreh Resuli.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco