VIDEO-SYRI TV/ Mishi dhe bulmeti, luks për shqiptarët. Qytetarët: Mishin e kemi harruar si është

22:01, 12/12/2022
A+ Aa A-

Rritja e çmimeve ka bërë që mishi dhe bulmeti të jenë luks për qytetarët shqiptarë. Në një vëzhgim që SyriTv ka kryer në tregje, djathi I bardhe shitet nga 700-900  lekë për kilogram, nga 500- 700 lekë për kilogram që ka qenë më parë, djathi kaçkavall aktualisht kushton 1100-1300 lekë kg nga 800-1000 lekë që ka qenë, gjiza shitet 350 lekë/kg nga 200 lekë/kg,  ndërsa 1 kilogram gjalp shitet nga 900 deri në 1600 lekë/kg, duke pësuar dyfishim çmimi.

Ndërkohë, çmimi I mishit fillon nga 800 lekë kilogrami për atë të  viçit, duke pësuar rritje me 100 lekë dhe në 1200 lekë për mishin e qingjit, duke u rritur me 200 lekë.  Qytetarët tregojnë se këto produkte mungojnë në përditshmërinë e tyre, për shkak të çmimeve të larta dhe të ardhurave të ulta, ndërkohë që të tjerë shprehen se nuk do I kenë as në tryezën e fundvitit.

“Janë rritur aq shumë saqë nuk e merrni me mend. 9 mijë lekë një kile dhjamth, 12 mijë lekë mishi. Ku të shkojmë?! Mishin num e kapim fare, si ti festojmë festat e fundvitit? Si përditë?

I shohim ndonjëherë në ëndër këto produkte. Një kalastre që vjen rreth 700 gram shkon 14-15 mijë. Kosin e kam marrë dhe është 1 mijë e 7 qind, mishi po ashtu i shtrenjtë. Mishi nuk e di sesa është aktualisht sepse kam kohë që nuk kam marrë. Pse të pyes kot?! Nuk e marr dot. Ku të shkoj më 100 mijë lekë? Blejmë nga ato të ngrirat në dyqan, mishin nuk e blejmë dot, është i shtrenjtë”, janë shprehur qytetarët.

E ndërkohë, rënien e konsumit e pohojnë edhe vetë tregëtarët.

“Çmimet në krahasim me vjet janë dyfish. Çmimet janë rrutur shumë dhe njerëzit para kanë pak. Ankohen se çmimet janë të shtrenjta,s’kanë çfarë të bëjnë tani dhe vetëm se sillen e sillen ku ti marrin më lirë. Jemi në luftë për rezistencë. Nuk blejnë se populli nuk ka lekë”, shprehen tregtarët.

Rritja e çmimeve vërehet në çdo sektor, ndërkohë që qytetarët vazhdimisht ngrenë shqetësimin se janë në kufijtë e mbijetesës, gjë e cila së fundmi është pohuar edhe nga ekspertët e ekonomisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco