VIDEO/ Kriza e zjarrit: Nga Peshkopia deri në Korçë, mungesë drush për ngrohje dhe rritje çmimi

VIDEO/ Kriza e zjarrit: Nga Peshkopia deri në Korçë, mungesë drush për ngrohje dhe rritje çmimi

14:33, 04/11/2021
A+ Aa A-

Dimri i këtij viti po vjen bashkë me një krizë ekonomike, që po shtrihet kudo pak nga pak e këtë javë u ndje deri edhe në ngrohjen me dru. Qytete si Peshkopia, Korça, Pogradeci, Pusteci, ku mbi 90% e popullsisë përdor drutë për t’u ngrohur, po përballen me mungesën e druve për ngrohje krahas rritjes së çmimit të tyre.

Gazetarja Sidorela Xhomaqi e Syri Tv solli një panoramë të trishtë nga tri bashkitë e qarkut juglindor të vendit, Korçës, ndërkohë që për situatën në Dibër foli z.Vullnet Tafa, përgjegjësi i sektorit të pyjeve në bashkinë e Dibrës. E përtej një krize zjarri, situatën e pa dhe e analizoi Dr. Abdulla Diku. 

Të ftuar në “Kafe Shqeto” nga drejtuesit e emisionit, Dori Daka dhe Flavio Qarri,  Xhomaqi dhe Tafa shpjeguan në detaje një situatë të vështirë që po ndihet shumë e kërkon zgjidhje.

Flavio: Sidorela, përveç shqetësimeve të banorëve, a është ndonjë kartel i shoqërive a firmave që tregojnë dru apo është një rritje normale e pritshme kjo?

Sidorela Xhomaqi: Me rritjen e temperaturave në të gjithë qarkun e Korçës ka pasur edhe rritje të çmimit të druve, ndërkohë që në disa raste ka pasur edhe mungesë të lëndës drusore. Në fakt ne kemi bërë një monitorim në 3 bashki të qarkut juglindor, në atë të Korçës, Pogradecit dhe të Pustecit.

Në bashkinë e Korçës kemi vënë re që ka pasur dru, po le të themi që qytetarët korçarë vuajnë pamundësinë për ta siguruar drurin e këtij viti duke qenë se kemi pasur rritje në të gjitha produktet ushqimore.

Ndërkohë, në qytetin e Pogradecit ka pasur mungesë të lëndës drusore dhe këtë e kanë pranuar edhe specialistët, që shprehen se mungesa ka çuar edhe në rritjen e çmimit të druve që ka shkuar nga 40 mijë lekë të vjetra deri në 45 mijë lekë të vjetra për metër kub.

Ata që e vuajnë më tepër rritjen e çmimit të druve duhet të shohin tek bashkia e Pustecit, e cila është një bashki minoritare ku pamundësia për ta siguruar drurin është më e madhe tek këta banorë që më së shumti e sigurojnë jetesën me peshkim, me prodhimin dhe kultivimin e çajit e ku pjesa më e madhe janë të moshuar e pensionistë.

Në fakt ka pasur një deklaratë nga kryetari i partisë “Aleanca e Maqedonisë për Integrim Europian”, nga z. Vasil Storievski, i cili ka dalë në një deklaratë ditët e fundit në qytetin e Korçës, duke u shprehur se nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe të Turizmit ka pasur një rritje të tarifës së çmimit të druve që priten nga banorët në Parkun Kombëtar të Prespës. Nga 5 mijë lekë të vjetra që ka qenë dikur për çdo familje, për ta prerë e transportuar drurin në fshatin e tyre, momentalisht kjo tarifë ka ndryshuar dhe bëhet fjalë për 5 mijë lekë për çdo metër kub.

Në fakt ajo që rëndon më tepër është shpenzimi për këta banorë që ta marrin nga Parku Kombëtar i Prespës për ta çuar drejt fshatrave të tyre. Çmimi i druve të zjarrit ka shkuar, nga17 mijë lekë për metër kub dikur - është dyfishuar dhe shkon në 30-35 mijë lekë për metër kub, megjithëse janë shumë pranë pyjeve dhe ka pasur gjithmonë një dakortësi midis Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit dhe banorëve të këtyre zonave që e përfitonin drurin me kosto më të ulët.

Dori: Sa përqind e popullsisë ngrohet me dru zjarri? A ka ndonjë përllogaritje se sa janë ata banorë që do të detyrohen të sigurojnë drutë e zjarrit edhe me çmime të shtrenjta, por edhe në mënyrë të paligjshme? Këtu dua të dal tek pyetja e dytë, a rrezikohen parqet kombëtare apo zonat e mbrojtura nga Moratoriumi në këtë rast kur njerëzit përballen me çmimin e lartë dhe që ta kalojnë dimrin në ftohtë?

Vullnet Tafa: Për t’ju përgjigjur pyetjes suaj dua të nënvizoj faktin se banorët e qytetit të Peshkopisë në masën 90% kanë si burim të vetëm për ngrohje, drutë e zjarrit. Një gjë e tillë ka sjellë që kërkesa për dru zjarri të jetë jashtëzakonisht e lartë dhe përtej mundësive teknike që afron fondi pyjor që ka në administrim bashkia e Dibrës. Këto statistika mund të jenë edhe më të larta, por le t’i marrim si të vërteta duke qenë se drutë e zjarrit janë i vetmi burim për ngrohjen e popullsisë. Sigurimi i këtij artikulli në kushtet e dimrit në prag prevalon edhe mbi ushqimin.

Flavio: Gazetari ynë në Peshkopi njofton se disa nga këto firma po arrijnë të furnizohen me dru në Librazhd. Pse kolegët apo homologët tuaj në Librazhd duket sikur janë më tolerantë apo kanë më shumë dru atje?

Vullnet Tafa: Unë nuk di të them se cilat janë arsyet e druve me tepricë atje, por di të them që fondi pyjor që disponon bashkia e Dibrës nuk plotëson në mënyrë ligjore, nevojat dhe kërkesat për furnizimin e banorëve të qytetit të Peshkopisë apo dhe  të zonave rurale me dru zjarri. Kështu që operatorët që funksionojnë në treg i janë drejtuar tregut të brendshëm; jam në dijeni të faktit që një sasi materiali është kontraktuar nga Tirana.  Kjo ka bërë që çmimi i druve të zjarrit duke përfshirë edhe koston e transportit të pësojë dhe të reflektohet në një rritje të ndjeshme që ka përbërë dhe përbën një shqetësim jo vetëm për banorët, por edhe për ne si struktura që merremi me mirëadministrimin e fondit pyjor bashkiak.

Sidorela Xhomaqi: Edhe në qarkun e Korçës, ashtu siç tha zotëria, 90% e popullsisë ngrohet me dru zjarri dhe ka në përdorim sobat e drurit. Në fakt, përsa i përket pyetjes se furnizimi me dru vjen kryesisht nga Librazhdi, këtë informacion e kemi edhe ne në qytetin e Korçës. Të gjithë ata persona dhe subjekte që shesin pikërisht këtë artikull shprehen se ka pasur edhe mungesë për sa i përket blerjes së druve të zjarrit në qarkun juglindor dhe detyrohen të shkojnë drejt Librazhdit për t’u furnizuar dhe më pas për ta marrë e gjithë popullsia.

A monitohen këto prerje të druve dhe a janë të rregullta?! Duhet të theksojmë faktin se ka pasur nga ana Policisë arrestime të personave që presin në mënyrë të paligjshme dru. Bëhet fjalë për zonat e thella malore sikundër është zona e Gorës, ku pjesa më e madhe e personave që janë ndaluar nga Policia kanë shkuar në këto zona ku ka dendësi pyjesh dhe sigurisht dhe në mënyrë të paligjshme e presin drurin dhe e shesin në treg. Kjo situatë për sa i përket edhe çmimit të rritjes së druve prek  kryesisht zonën juglindore, ku sikurse e theksova pjesa më e madhe e  banorëve ngrohen me dru zjarri dhe ndërkohë duhet të sigurojnë edhe diku tek 50 mijë lekë të reja për dimrin.

Në Korçë, pjesa më e madhe e qytetarëve dhe po ashtu në bashkitë e tjera, duket se e kanë ndezur sobën se jemi në temperatura tepër të ulëta dhe ngrohja e vetme për këtë qark është soba./ar/sh/SYRI.NET

Intervistat e plota në videon e KAFE SHQETO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco