VIDEO SYRI TV/ Rruga 'Hoxha Tahsin' në gjendje të degraduar, u gërrye asfalti dhe nuk u shtrua

VIDEO SYRI TV/ Rruga 'Hoxha Tahsin' në gjendje të degraduar, u gërrye asfalti dhe nuk u shtrua

18:15, 30/10/2021
A+ Aa A-

Rruga "Hoxha Tahsin" edhe pse një ndër akset më të frekuentuara të kryeqytetit, paraqitet problematike. Prej rreth 3 javësh kjo rrugë ka mbetur e pashtruar, duke shkaktuar kaos në qarkullimin e automjeteve, si dhe ndotje të ambientit duke u kthyer në shqetësim për qytetarët dhe bizneset e zonës.

SYRI TV

Edhe pse një ndër akset më të frekuentuara të kryeqytetit, Rruga "Hoxha Tahsin" prej kohësh paraqitet problematike. Pas degradimit të saj, gropave të shumta dhe asfaltit të plasaritur, duket se u ndërmor iniciativa për ta shtruar, por prej rreth 3 javësh askush nuk ka vënë dorë për rikonstruksionin e saj, ndërsa asfalti i mëparshëm është gërryer, duke shtuar kaosin në qarkullimin e automjeteve.

Shqetësimi për gjendjen e kësaj rruge, nuk është vetëm i drejtuesve të automjeteve që përballen me infrastukturën e dëmtuar të kësaj rruge, por edhe i këmbësorëve dhe banorëve të zonës.

Një tjetër faktor shqetësues është edhe ndotja e shkaktuar prej rrugës së shkatërruar, e cila përveç qytetarëve, ka prekur shumë edhe bizneset në këtë zonë.

Krahas rrugës, edhe korsia e biçikletave është hequr, duke shkaktuar rrezik për personat që qarkullojnë me biçikleta, të cilët me vështirësi gjenë një vend për të kaluar, në trafikun e dendur e të rënduar të kryeqytetit.

Ky aks rrugor, krahas këtyre problematikave, ka ngjallur edhe shumë pikëpyetje, nëse po abuzohet apo jo me tenderat.

Sa është vlera reale e rrugës me korsinë e biçikletave dhe pa të? Rruga e re që do të bëhet, a do të ketë sërish korsi biçikletash?

Nëse ky aks ishte planifikuar të rregullohej, pse duhej investuar për ndërtimin e një korsie biçikletash më herët, e cila edhe pse në gjendje të mirë, u hoq nga rruga?

Këto pikëpyetje janë ngritur edhe nga vetë qytetarët, të cilët pohojnë se nuk është bërë transparencë, ndërsa në asnjë anë të rrugës nuk paraqitet asnjë tabelë orientuese e projektit në fjalë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco