'COVID i gjatë' ka mbërthyer 20 mijë shqiptarë: fibroza në mushkëri, çrregullime psikike

'COVID i gjatë' ka mbërthyer 20 mijë shqiptarë: fibroza në mushkëri, çrregullime psikike

08:06, 30/10/2021
A+ Aa A-

Sindromi i “COVID-it të Gjatë” është një përkufizim i ri në sistemet shëndetësore, që po merret me trajtimin e personave që kanë mbetur me pasoja në shëndet nga infektimi me Sars Cov-2. Në Shqipëri vlerësohet se rreth 20 mijë persona, që kanë kaluar infektimin, po vuajnë pasojat Post-COVID dhe tashmë do të jenë një barrë e re për sistemin shëndetësor në vend dhe kudo në botë. Të sëmurët me “COVID të gjatë” vuajnë nga dëmtimet në formën e fibrozave në mushkëri, paaftësia fizike, çrregullime psikike, nervore dhe depresioni. Studimet e huaja kanë gjetur 55 anomali në shëndet të krijuara nga COVID-19. Ekspertët bëjnë thirrje për ridimensionim të shërbimeve shëndetësore, sidomos ato neuropsikike

Që nga fillimi i pandemisë, deri në mes të tetorit 2021, Shqipëria numëron mbi 175 mijë persona të infektuar zyrtarisht me sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes Sars-Cov-2 dhe me rreth 10 mijë vdekje shtesë nga marsi 2020-mars 2021, sipas të dhënave nga INSTAT. Teksa sistemi shëndetësor në vend është në betejë frontale për të përballuar trajtimin e drejtpërdrejtë dhe zvogëlimin e barrës akute të COVID-19, po jepen sinjalet e para, pandemia po rrit barrën e sëmundjeve.

Të dhëna operative nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se rreth 20 mijë persona po vuajnë “COVID-in e gjatë”. Ata po vuajnë nga pasojat direkte dhe indirekte të sëmundjes, të tilla si dëmtime të mushkërive, lodhje kronike dhe dëmtim të sistemit nervor dhe çrregullime psikike. Pasoja të tilla zgjasin 4-5 muaj, por edhe më shumë pas kalimit të infeksionit dhe po cilësohen nga sistemet shëndetësore si sindromi “post-COVID”, ose “Long COVID”.

Në Shqipëri, por edhe në botë, mungojnë studime të mirëfillta rreth pasojave që COVID-19 lë në periudhat afatmesme dhe afatgjata. Por këto të dhëna konsiderohen të rëndësishme për të përgatitur shërbimin shëndetësor për një ngarkesë të re që e pret në të ardhmen. Sipas vlerësimeve të Institutit të Shëndetit Publik, pacientët me “COVID të gjatë” zënë rreth 12% të personave të infektuar që janë identifikuar me tampon. Alban Ylli, ekspert i çështjeve të shëndetit publik, pohon se, shumica e tyre rikuperohen plotësisht.

Pasojat afatgjata, dëmtimi i mushkërive, sistemit nervor dhe lodhja kronike

Pasojat afatgjata pas infeksionit SARS-CoV-2 po bëhen një barrë e rëndësishme për shoqëritë dhe sistemet e kujdesit shëndetësor. Të dhënat mbi sindromën post-COVID-19 në popullatën e përgjithshme kërkohen për planifikimin në kohë të shërbimeve dhe burimeve të kujdesit shëndetësor.

Luan Dyrmishi, mjek në Poliklinikën e specializuar të mushkërive në Tiranë, e njohur si “Dispanseria”, shprehet se individët me simptoma post-COVID-19 raportojnë se nuk ndihen të shëruar plotësisht nga koronavirusi. Mbi 15% e atyre që e kanë kaluar infeksionin më prekje në shkallë të madhe të mushkërisë vuajnë nga fibrozat polmunare, një lloj i kalcifikimit të pjesëve të mushkërisë që, në disa raste, kthehen në dëme të përhershme.

Një pjesë e madhe e tyre do të mbeten të sëmurë kronikë dhe do të jenë një barrë e re shtesë për sistemet spitalore në vend. Sipas vlerësimeve nga Poliklinika e Trajtimit të Mushkërive, rreth 20% e pacientëve vuajnë nga një lodhje e gjatë kronike, e cila zgjat në kohë. Pacientët me këto simptoma nuk ndihen si më parë gati edhe një vit pasi kanë kaluar infeksionin.

Depresioni dhe prekja e sistemit nervor është një nga simptomat kryesore e “COVID të gjatë” edhe në Shqipëri, ashtu si dhe në të gjithë botën. Në 4-mujorin e parë të vitit 2021, shtrimet në pavijonet e spitalit psikiatrik u rritën me 68% në krahasim me 4-mujorin e parë të vitit 2020, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë. Vlerësimet e brendshme dhe ato të jashtme tregojnë se, personat që kanë kaluar COVID-19 me simptoma kanë pasur së paku një kontakt me sistemet shëndetësore./Blerina Hoxha/MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco