Pak prej nesh ndiejnë se kanë orë të mjaftueshme në ditë. Shumica prej nesh vrapojnë nga një punë në tjetrën, mezi duke pasur mundësi të relaksohemi sepse thjesht nuk kemi kohë.
Ndjesia e mungesës së kohës është e përhapur - dhe kjo është një lajm i keq. Presioni kronik i kohës do të thotë stres, i cili lidhet me rritjen e niveleve të kortizolit, presionin e lartë të gjakut, sëmundjet kardiovaskulare, zakonet e pashëndetshme të të ngrënit, dhe një rrezik më i madh për obezitet.
Ndërkohë, pasojat psikologjike përfshijnë lodhjen e tepërt, depresionin ose çrregullimet e ankthit.
Megjithatë, mund ta ndryshoni këtë, thotë psikologia Ruth Ogden në BBC Science Focus. Ajo propozon këto strategji të thjeshta, të mbështetura shkencërisht, për të zvogëluar ndjenjën e mungesës së kohës.
Mëso si të thuash jo
Nuk ke pse të marrësh përsipër çdo angazhim. Të thuash jo me vetëdije, krijon hapësirë për gjërat që kanë vërtet rëndësi.
Këshilla e Ogden pranon se të thuash se nuk ke kohë, nuk të bën domosdoshmërisht më popullor. Një strategji më e mirë për të thënë jo është: a) Të kërkosh më shumë kohë, le të themi për detyrat në punë. b) Të bësh të qartë se po thua jo, për shkak të rrethanave përtej kontrollit tënd. c) Është më mirë të mos japësh një arsye për të thënë jo, sesa thjesht të thuash "Nuk kam kohë për këtë".
Analizoni se si e kaloni kohën
Ndiqni se si e kaloni kohën tuaj gjatë një jave tipike - nga takimet e punës te mediat sociale, gatimi te renditja e çorapeve dhe aktivitete të ngjashme. Mos hyni shumë në detaje, por punoni në intervale 30-minutëshe. Kjo ju lejon të shihni se ku mund të gjeni pak kohë, duke bërë ndryshime të vogla. Për shembull, mund të gatuani darkën paraprakisht për të liruar gjysmë ore në mbrëmje, thotë Ogden, profesor i psikologjisë së kohës në Universitetin John Moores të Liverpulit.
Delegoni ose nënkontraktoni detyrat
Qoftë punët e shtëpisë, blerjet apo detyrat e vogla të përditshme, ndarja e tyre me të tjerët në familje apo dhënia e tyre dikujt tjetër, le të themi fshesat me korrent robotike apo shërbimet e shpërndarjes së ushqimit, ju lejon të blini kohë dhe ta përdorni atë me vetëdije për relaksim ose projekte të rëndësishme.
Mbani një listë të "çfarë kam arritur"
Kjo është një lloj liste detyrash e përmbysur. Të shkruash atë që ke arritur në fund të ditës, nxit një ndjenjë produktiviteti dhe kënaqësie. Merr 5 minuta për ta bërë këtë. Të shohësh gjithçka bardh e zi mund të të rrisë vetëbesimin. Dhe në skenarin më të mirë, kjo të tregon se po e përdor kohën tënde mjaft mirë.
Planifikoni blloqet kohore
Kjo ka të bëjë me vendosjen e kufijve për veten tuaj. Duhet t’i ndani detyrat nga koha e lirë dhe t’i shënoni ato në kalendarin tuaj, duke vendosur orare të caktuara për punë, email-e dhe relaksim për të shmangur mbingarkesën dhe shpërqendrimin.
"Nëse nuk mund të relaksoheni pas punës sepse keni ende email-e për t'u përgjigjur, rezervoni 15 minuta çdo mbrëmje vetëm për email-et", thotë Ogden. Më pas, fikni njoftimet e email-eve ose kaloni telefonin inteligjent në modalitetin e heshtur, këshillon profesori i psikologjisë së kohës në Universitetin John Moores të Liverpulit./ DPA News.
© SYRI.net