Familja e ‘yllit’ të NFL-së dhuron trurin për studimin e encefalopatisë traumatike kronike

Familja e ‘yllit’ të NFL-së dhuron trurin për studimin e encefalopatisë traumatike kronike

11:18, 17/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Familja e ish-lojtarit të NFL-it, Aldon Smith, ka vendosur të dhurojë trurin e tij për kërkime shkencore në Qendrën për Encefalopatinë Traumatike Kronike (CTE) në Universitetin e Bostonit, me qëllim studimin e efekteve të dëmtimeve të përsëritura në tru.

Smith, 36 vjeç, ndërroi jetë papritur disa ditë më parë, vetëm disa orë pasi kishte marrë pjesë në një aktivitet bamirësie për personat e pastrehë në zonën e Gjirit të San Franciskos. Deri tani nuk është bërë i ditur shkaku i vdekjes së tij, ndërsa familja ka angazhuar avokatët Harry Daniels, Bakari Sellers dhe Wayne Kendall për të hetuar rastin.

Në një deklaratë zyrtare, përfaqësuesit ligjorë të familjes theksuan se rrethanat e vdekjes kërkojnë sqarim të plotë dhe se janë ndërmarrë hapa konkretë për ta zbardhur situatën. Një prej tyre është edhe dërgimi i trurit të Smith-it në Boston, ku ekspertët do të analizojnë nëse ai vuante nga encefalopatia traumatike kronike (CTE), si dhe nga dëmtime të tjera të shkaktuara nga goditjet e përsëritura gjatë karrierës sportive.

CTE është një sëmundje neurodegjenerative që mund të diagnostikohet vetëm pas vdekjes dhe është më e shpeshtë te sportistët e sporteve me kontakt të fortë fizik, si futbolli amerikan, boksi apo hokeji. Simptomat përfshijnë ndryshime të humorit, depresion dhe probleme të tjera të sjelljes.

Rasti i Smith-it nuk është i izoluar, pasi edhe familje të tjera të ish-sportistëve kanë zgjedhur të kontribuojnë në kërkimet shkencore duke dhuruar trurin e të afërmve të tyre për studime të ngjashme. Kjo praktikë synon të ndihmojë në kuptimin më të mirë të dëmtimeve afatgjata që shkaktohen nga goditjet në kokë gjatë karrierës sportive.

Në vitet e fundit, shumë liga sportive kanë ndryshuar rregullat për të rritur sigurinë e lojtarëve, duke vendosur protokolle të rrepta për trajtimin e tronditjeve dhe duke mos lejuar rikthimin në fushë pa kontroll të plotë mjekësor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco