A e rrit përdorimi i kanabisit rrezikun për çrregullime psikotike dhe bipolare?

A e rrit përdorimi i kanabisit rrezikun për çrregullime psikotike dhe bipolare?

14:00, 27/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kanabisi është droga më e përdorur në Shtetet e Bashkuara, me mbi 10% të të rinjve amerikanë të moshës 12–17 vjeç që raportojnë ta kenë përdorur gjatë 12 muajve të fundit.

Nga Stephen Beech/

Një studim i ri ka zbuluar se adoleshentët që përdorin kanabis kanë dyfish më shumë gjasa të zhvillojnë çrregullime psikotike dhe bipolare.

Sipas studiuesve, ata përballen me një rrezik “dukshëm më të lartë” për zhvillimin e problemeve serioze të shëndetit mendor në moshë të re.

Studimi amerikan, i publikuar në revistën JAMA Health Forum, ndoqi 463,396 adoleshentë të moshës 13–17 vjeç deri në moshën 26 vjeç.

Rezultatet treguan se përdorimi i kanabisit gjatë 12 muajve të mëparshëm në adoleshencë lidhej me:

- dyfishin e rrezikut për çrregullime psikotike dhe bipolare,
- si dhe me një rrezik dukshëm më të lartë për depresion dhe ankth.

Studimi zbuloi gjithashtu se përdorimi i kanabisit ishte më i përhapur tek adoleshentët që jetonin në zona me nivel më të ulët socio-ekonomik.

Studiuesit analizuan të dhënat e kartelave elektronike shëndetësore nga vizitat rutinë pediatrike të kryera midis viteve 2016 dhe 2023. Sipas analizës, përdorimi i kanabisit parapriu diagnozat psikiatrike me një mesatare prej 1.7 deri në 2.3 vitesh.

Ekipi hulumtues theksoi se mënyra si ishte dizajnuar studimi forcon provat se ekspozimi ndaj kanabisit gjatë adoleshencës mund të jetë një faktor i rëndësishëm rreziku për zhvillimin e sëmundjeve mendore.

Image

Bashkautorja e studimit, Dr. Lynn Silver, nga Instituti i Shëndetit Publik, deklaroi:

“Ndërsa kanabisi po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm dhe po tregtohet në mënyrë agresive, ky studim tregon se përdorimi i tij tek adoleshentët shoqërohet me dyfishin e rrezikut për çrregullime psikotike dhe bipolare – dy nga gjendjet më serioze të shëndetit mendor.”

Ajo shtoi se provat shkencore po theksojnë gjithnjë e më shumë nevojën për një reagim urgjent të shëndetit publik – një qasje që:

- kufizon fuqinë e produkteve,
- i jep përparësi parandalimit,
- redukton ekspozimin dhe marketingun ndaj të rinjve,
dhe e trajton përdorimin e kanabisit nga adoleshentët si një çështje serioze shëndetësore, jo si një sjellje të padëmshme.

Sipas Anketës Kombëtare për Përdorimin e Drogës dhe Shëndetin të vitit 2024, kanabisi mbetet droga e paligjshme më e përdorur në SHBA. Studime të tjera tregojnë gjithashtu se përqendrimi i përbërësve aktivë në kanabis është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

Ndryshe nga shumë studime të mëparshme që fokusoheshin vetëm te përdoruesit e rëndë, ky hulumtim analizoi çdo përdorim të vetë-raportuar të kanabisit, duke përfshirë shqyrtimin e përgjithshëm të adoleshentëve gjatë kontrolleve standarde pediatrike.

Image

Autorja kryesore e studimit, Dr. Kelly Young-Wolff, nga Divizioni i Kërkimeve i Kaiser Permanente, tha:

“Edhe pasi u morën parasysh problemet e mëparshme të shëndetit mendor dhe përdorimi i substancave të tjera, adoleshentët që raportuan përdorim të kanabisit kishin një rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar çrregullime psikiatrike – veçanërisht çrregullime psikotike dhe bipolare.”

Ajo theksoi se ky studim i shtohet numrit në rritje të provave që tregojnë se përdorimi i kanabisit gjatë adoleshencës mund të ketë pasoja të dëmshme dhe afatgjata për shëndetin.

“Është thelbësore që prindërit dhe të rinjtë të kenë informacion të saktë, të besueshëm dhe të bazuar në prova lidhur me rreziqet e përdorimit të kanabisit gjatë adoleshencës,” përfundoi Dr. Young-Wolff.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco