Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protestuesit rrethojnë kryeministrinë

Kardiologia Hasani: Dimri nxjerr në pah problemet e fshehura kardiake, mos e provokoni trupin me të ftohtë ekstrem

10:01, 21/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ulja drastike e temperaturave gjatë sezonit të dimrit nuk sjell vetëm ftohtë, por edhe një rrezik të shtuar për shëndetin kardiak.

Sipas mjekes kardiologe Ëngjëllushe Hasani, temperaturat e ulëta veprojnë si një faktor nxitës dhe shpërthyes për sëmundjet e zemrës, duke rritur ndjeshëm shifrat e tensionit arterial.

Në një intervistë në emisionin KAFE SHQETO në SYRI TV, mjekja theksoi rëndësinë e rikonfigurimit të mjekimit gjatë këtij sezoni, veçanërisht për pacientët që vuajnë nga hipertensioni apo sëmundje bashkëshoqëruese si diabeti. Këshillohet që këta pacientë të kryejnë një vlerësim të ri të presionit të gjakut dhe analizave për të përshtatur dozat e medikamenteve.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte përdorimi i Aspirinës. Ndryshe nga perceptimi se ajo duhet përdorur nga kushdo mbi një moshë të caktuar, mjekja sqaroi se protokollet mjekësore e rekomandojnë atë në mënyrë specifike për diabetikët, personat që kanë kaluar infarkt, si dhe ata që vuajnë nga variçet dhe janë të prirur për tromboza.

Për persona me risk mesatar, përdorimi mund të shtohet vetëm gjatë sezonit të dimrit. Megjithatë, alarmi më i fortë u dha lidhur me trendet e fundit që qarkullojnë në rrjetet sociale, si TikTok apo Instagram, të cilat promovojnë dushin me ujë të akullt në mëngjes si një metodë për forcimin e shëndetit. Mjekja u shpreh kategorikisht kundër kësaj praktike për popullatën e gjerë, duke e cilësuar atë si një rrezik të panevojshëm.

"Nuk rekomandojmë ndryshime të forta të temperaturave. Sëmundjet e zemrës, infarkti dhe goditjet në tru janë shpesh pasojë e një 'loje vazomotore', pra ngushtim i fortë i enëve të gjakut," shpjegoi ajo. Vendosja e trupit para një provokimi të tillë termik, sipas mjekes, nuk është një kusht i domosdoshëm për shëndetin dhe mund të rezultojë fatale për personat e papërgatitur fizikisht apo me probleme të fshehura kardiake.

Hasani:

Temperaturat e ulëta e nxisin dhe janë një faktor shpërthyes për sëmundjet kardiake. Atëherë ne duhet të kemi kujdes sepse në këtë periudhë rriten edhe shifrat e tensionit për shkak të uljes së temperaturave. Atëherë, të gjithë ato pacientë të cilët vuajnë nga tensioni ose nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, siç është diabeti që ne e konsiderojmë faktor risku madhor, duhet të rivlerësojnë dhe njëherë vlerat e tyre të presionit dhe një palë analiza për të riparë dhe njëherë dozat e medikamenteve. Sepse kemi një rikonfigurim të ri të mjekimit në këtë sezon. Gjithashtu duke u nisur sepse kemi një mungesë të aktivitetit fizik për shkak të temperaturave shumë të ulëta, atëherë ato mundet të bëjnë ushtrime në shtëpi.

Po, mundet të jenë më aktivë, sepse të gjitha këto, pak mungesa e aktivitetit fizik, dita e shkurtër, mungesa e vitaminës D, këto sëmundjet infektive, griprat e tjera të cilat ulin imunitetin, e bëjnë që një gjë që është e fshehur të dali dhe më në dukje. Pra të kemi një sistem imunitar të fortë i cili të na suportojë si për anën e inflamacionit, siç janë griprat e ndryshme, viruset e ndryshme, por edhe për të mbajtur nën kontroll tensionin e gjakut, vlerat e glicemisë, ato që vuajnë nga dislipidemitë. Pra të gjithë faktorët që bëhen shkak për të shpërthyer një dhimbje gjoksi.

Ne rekomandojmë Aspirinë, e cila mund të jetë 75, 81 dhe 100 miligram në ditë. Zakonisht te të gjithë pacientët të cilët kërkojnë një...

Protokollet rekomandojnë te pacientët të cilët kanë disa gjendje të tyre të trupit, siç është... mund të kenë kaluar ndonjëherë infarkt, për parandalim sekondar. Ajo rekomandohet te të gjithë diabetikët. Verë, dimër, pranverë, temperatura të ulëta, të larta...

Te të gjithë diabetikët është e indikuar. Dhe te disa persona të cilët vuajnë nga variçet, sepse siç tha dhe doktoresha që tani janë të prirur për të bërë tromboza. Kështu që janë gjendje specifike ku rekomandohet pa ndërprerje. Persona të tjerë të cilët kanë risk mesatar mundet ta shtojnë atë në sezonin e dimrit.

Jo, ne nuk rekomandojmë që të kemi ndryshime të forta të temperaturave. Domethënë s’ka nevojë për të bërë dushe të ftohta dhe varet si, si e ke mësuar dhe trupin. Sepse ka njerëz të cilët janë mësuar që të mos ta bëjnë kurrë këtë. Kështu që kjo është individuale se sa sportiv ti je. Por nuk ka nevojë që të bësh një lloj dushi të tillë, kur ka ndryshime të forta të temperaturave.

Pasi të gjitha këto sëmundje, si sëmundjet e zemrës, infarkti i miokardit, dhimbja e gjoksit, ashtu dhe të trurit, është një lojë vazomotore, që vjen si ngushtim i fortë i enëve të gjakut. Kështu që nuk kemi pse ta vëmë trupin në një provokim të tillë, sepse nuk është kusht që ti duhet patjetër të lahesh me temperatura shumë të ulëta.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco