Një studim i fundit ka zbuluar se pasagjerët e avionëve mund të thithin nivele shumë të larta të grimcave ultrafine, të padukshme për syrin dhe shpesh të papërfshira nga monitorimet tradicionale të ndotjes së ajrit.
Ekipi i studiuesve francezë, përfshirë ata nga Université Paris Cité, vendosi pajisje matëse në vendet e para ose në galeri gjatë fluturimeve nga Parisi drejt destinacioneve evropiane. Rezultatet treguan se nivelet më të larta të grimcave ultrafine mateshin gjatë hyrjes në avion dhe gjatë lëvizjes së avionit në pistë, duke u regjistruar më shumë se dy herë mbi atë që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e konsideron si nivel të lartë.
Megjithatë, gjatë fluturimit në lartësi, ajri në kabinë ishte relativisht i pastër, ndërsa niveli i grimcave rritej sërish gjatë afrimit me pistën në destinacion. E njëjta gjendje u vërejt edhe me grimcat e karbonit të zi, të cilat ishin më të larta në aeroport.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo është shqetësuese, veçanërisht duke pasur parasysh se këtë vit numri i udhëtarëve ajrorë pritet të kalojë 5 miliardë për herë të parë. Avionët mbeten burime të ndotjes me pak kontrolle krahasuar me trafikun rrugor apo industrinë.
Studimet tregojnë gjithashtu se grimcat ultrafine nga aeroporti Charles de Gaulle përhapen edhe në komunitetet përreth, duke u thithur nga njerëzit që jetojnë deri 5 km larg. Situata është e ngjashme në aeroportet e Londrës, ku grimcat nga Heathrow shtrihen në të gjithë zonën perëndimore dhe qendrore të qytetit, duke rrezikuar miliona njerëz.
Ekspertët nënvizojnë se duhet më shumë kërkime mbi efektet e ndotjes së ajrit në shëndetin e punonjësve dhe udhëtarëve ajrorë, si dhe të komuniteteve pranë aeroporteve.
© SYRI.net