Studim i ri: Edhe dozat e vogla të Cannabidiolit mund të dëmtojnë mëlçinë

Studim i ri: Edhe dozat e vogla të Cannabidiolit mund të dëmtojnë mëlçinë

14:24, 08/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një studim i ri klinik ka ngritur shqetësime mbi sigurinë e produkteve me CBD, duke sugjeruar se edhe dozat e vogla të këtij përbërësi mund të shkaktojnë dëmtime në mëlçi. Në provën e kontrolluar të realizuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), tetë nga 151 pjesëmarrës që morën CBD dy herë në ditë për katër javë, shfaqën nivele të enzimave të mëlçisë mbi trefishin e normales – një tregues i mundshëm i dëmtimit të këtij organi jetësor.

Krahasuar me grupin që mori placebo, ku asnjë nuk pati shenja të tilla, rezultatet tregojnë një rrezik të mundshëm edhe nga dozat më të ulëta të kanabidiolit që gjenden në produkte të zakonshme si çamçakëza apo locione.

CBD, përbërësi jo-psikoaktiv i kanabisit, është legalizuar më gjerësisht në Bashkimin Evropian pas një vendimi të Gjykatës së Lartë në vitin 2020, por studimi i ri vihet në kundërshtim me idenë se ai nuk ka efekte të dëmshme në shëndet.

Megjithëse asnjëri prej pjesëmarrësve nuk pati simptoma dhe nivelet e enzimave u kthyen në normalitet pas ndërprerjes së përdorimit, studiuesit theksojnë se mungesa e simptomave mund ta bëjë dëmtimin e mëlçisë të pashqyrtuar në kohë.

Studiuesit rekomandojnë më shumë kërkime për të vlerësuar ndikimet afatgjata të CBD-së dhe sigurinë e dozave të ulëta që përdoren zakonisht nga konsumatorët. Ata theksojnë nevojën për vigjilencë, sidomos në përdorimin e përditshëm të produkteve të CBD-së nga individë të shëndetshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco