Referendumi i 30 Shtatorit dhe shqiptarët e Maqedonisë

Referendumi i 30 Shtatorit dhe shqiptarët e Maqedonisë

21:44, 22/09/2018
A+ Aa A-

Nga Patriot Lumani

30 shtatori, është dita që qytetarët si gjithmonë, do të duhet të jenë një hap para elitës politike, në veçanti, asaj shqiptare në Maqedoni, të cilës nëse i gjykon veprimet, në këto 28 vjet, më rezulton, që janë fajtorët kryesorë në ngecjen, dhe në shkatërrimin e çdo vlere, që simbolizon integrimi në NATO dhe BE. Padyshim, bazë e vlerave, që simbolizon integrimin është demokracia, e cila bazohet në votën e lirë dhe sistemi i vlerave, që në themel ka meritokracinë, parametra, që elita shqiptare e politikës në Maqedoni, i ka shkelur me të dyja këmbët, në vazhdimësi , herë -herës edhe e trimëruar nga elita politike maqedonase.

Sot, shqiptarët në Maqedoni, pavarësisht që në dukje të pare, duken shumë më mirë se në vitet e 90 të shekullit të kaluar, ky perceptim të rezulton i gënjeshtërt që në takimin e parë me shtresën (rininë) që duhet të mbaj në supe zhvillimin, sepse dikur kur ishte keq, kishte shpresë se do të bëhej më mirë, tani të rinjtë jo pa ironi të thonë se ‘’Shpresa ka ikur në Gjermani’’.

Gjykuar nga numri i madh i aplikimeve, për një vend pune në Gjermani, konstaton se ata që largohen dhe synojnë të ikin në shumicë nga Maqedonia, janë të rinjtë shqiptar, dhe jo pa arsye. Pra shqiptarët po largohen nga tokat e tyre për të cilat kanë sakrifikuar shumë. Nëse, ky eksod vazhdon me këto ritme, do të kemi vendbanime të tëra shqiptare të boshatisur nga njerëzit.

Shqiptarët, tokat e tyre, në këto nivele nuk i braktisën në kohëra të tjera shumë më të vështira në kohën e Jugosllavisë, si në atë të Mbretit apo atë Titos, por i braktisin tani, sepse rinia dhe një pjesë e shoqërisë, refuzon të bëhet pjesë e një sistemi që funksionon në dobi të një tarafi, rreth e përreth politikës dhe biznesit që flirton me të. Je i sigurt dhe i mbrojtur dhe mund të bësh karrierë vetëm atëherë kur je pjesë e kësaj garniture, braktisesh në momentin e parë që tarafi dhe klani të përkufizon si të papërshtatshëm.

Shqiptari i ri në Maqedoni, ka përpara modelin ‘ Do mbijetoj, do punësohet, do ketë mundësi zhvillimi, por nuk do të jetë vetvetja, sepse do duhet të jetë pjesë e dëgjueshme dhe mbi të gjitha servile e klanit që kontrollon dhe abuzon me pushtetin, edhe në emër të tij, duhet thënë vetëm atë pushtet që garniture maqedonase ka rezervuar për atë klan shqiptar. Në këto 28 vjet, politika shqiptare në Maqedoni, përveç se bashkëpunoi pa kushte me elitën maqedonase në dëm të interesave strategjike shqiptare, i hapi dyert për krimin në politikë i cili tashmë metastazat, i ka shtrirë në çdo sektor jetikë të shoqërisë shqiptare në Maqedoni.

Tashmë, në pjesën shqiptare të Maqedonisë, nuk dihet ku fillon politika dhe ku mbaron krimi, sepse në shumë raste kemi një simbiozë për mrekulli të politikës me krimin dhe anasjelltas. Mbi të gjitha, në këto 28 vjet, kush më shumë e kush më pak e gjunjëzoi meritokracinë në shoqërinë shqiptare në Maqedoni, dhe instaloi partizimin në çdo pore të shoqërisë shqiptare, gjë që sot po rezulton shkatërrimtare për të ardhmen shqiptare në Maqedoni. Ky partizim u shtri ne sektorin më jetik, siç është arsimi, ku tashmë nuk ka rëndësi çfarë përgatitjesh ke, por ai ke punët mirë me partinë. Sot, shqiptarët në Maqedoni, kanë universitete, por i kanë pesë fish më të dobët se ato maqedonase. Sot, shqiptarët në Maqedoni, kanë në shumicë të diplomuar, por kanë shumë pakë profesionistë. Kanë qindra doktor shkencash (jo të gjithë) të cilët të vetmet punime akademike i kanë materialet e vjedhura nga interneti, dhe titujt i kanë marr (blerë) në universitete që prodhojnë diploma.

Nëse, dikur nga vendlindja, largoheshin punëtorët e pakualifikuar, sot po ndodh e kundërta, po largohen të mirëkualifikuarit ata që nuk mund të gjenden apo e refuzojnë sistemin klepto-kratik gjë që në një periudhë afat mesme do rezultojë, me pasoja fatale për shoqërinë shqiptare. Sot, një pjesë e madhe e mjekëve dhe profesionistëve në disa fusha deficitare për shqiptarët në Maqedoni që kanë diplomuar në universitete të ndryshme evropiane, jo që nuk kthehen në vendlindje por po tërheqin drejt largimit edhe shumë të tjerë që janë punësuar në sektorin shëndetësor dhe sektorët e tjerë me rëndësi për zhvillimin e këtushëm.

Dikush pasi ka lexuar këto rreshta do pyes e çfarë lidhje ka referendumi i 30 shtatorit në gjithë këtë histori? Ka, sepse në këto 28 vjet nuk ka fushatë që politika shqiptare dhe ajo maqedonase nuk ka tundur flamujt e integrimit drejt BE-së apo anëtarësimit në NATO por në realitet gjithmonë ka vepruar në kundërshtim me këto përcaktime. Pavarësisht anës deklarative një pjesë e mirë e elitës politike (në të dy etnitë) në Maqedoni nuk e do anëtarësimin në NATO dhe integrimin në BE-dhe vlerat që ato përfaqësojnë, sepse përshpejtimi i integrimit do të sjell me gjasë izolimin dhe largimin e tyre nga vendimmarrja dhe për pasojë humbja e benifiteve që sjell pushteti. Ata e kanë frikën me shumë të drejtë se nëse integrohemi në Evropë, një pjesë e mirë e tyre nuk do t’i shpëtojnë dënimit dhe ndëshkimit për zullumet që kanë bërë në 28 vjet.

Prandaj një dështim i referendumit jo që nuk e largon këtë klasë politike që i ka sjellë shumë të këqija shoqërisë por i zgjat jetën asaj. Një votë pro referendumit, është një votë pro ardhjes në pushtet të një garniture më të mirë politike te shqiptarët , apo më saktë shkurtimin e jetës politike të një pjesë të klasës politike, që nuk kanë asnjë lidhje me vlerat evropiane. Besojë është e vrazhdët për qytetarët, kur për vlerat evropiane do të duhet të dëgjojnë ligjërata nga titistë, enveristë, marksistë-leninistë apo istë të tjerë që asnjë lidhje nuk kanë me konceptin dhe lirinë evropiane, por duroni edhe këtë radhë. Votoni, më 30 shtator, që të gjithë këta ista të mos i shohim në fushatat e ardhshme sepse në të kundërt do të jenë sërish ata që do të na tundin flamurin e integrimit në fushatën e radhës nëse dështon 30 shtatori.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco