Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Reformë territoriale apo grabitje elektorale

'Qeveria i ka ditët e numëruara'/ Gjin Gjoni: Protestat do të rriten, SPAK duhet të hetojë Ramën

20:05, 23/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka akuzuar mazhorancën socialiste se po përdor reformën territoriale si një instrument politik për përqendrimin e pushtetit, duke e larguar qeverisjen vendore nga qytetarët dhe duke lënë pas dore zonat e largëta.

Sipas tij, ndarja territoriale nuk është bërë mbi bazën e shërbimeve dhe nevojave të komuniteteve, por mbi kalkulime elektorale të Partisë Socialiste.

Gjin Gjoni ka ngritur kritika të forta edhe për menaxhimin e pronave publike dhe zonave të mbrojtura, duke akuzuar qeverinë Rama se po i trajton pasuritë e vendit si pronë private përmes ligjeve dhe vendimeve që favorizojnë dhënien me qira apo enfiteozë të pronave shtetërore.

 Ai e cilësoi situatën në Theth dhe zonat e Dukagjinit si shembull të mënyrës se si, sipas tij, qeveria po përballet me banorët dhe pronarët lokalë.

Gjoni foli edhe për akuzat e ngritura nga eurodeputeti çek ndaj kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që SPAK të nisë hetime për çështje që lidhen me transferimin e parave jashtë vendit dhe me dosje të tjera të bujshme si inceneratorët, çështja McGonigal, koncesionet publike dhe Aruba. Sipas deputetit demokrat, drejtësia e re duhet të tregojë vullnet për të hetuar edhe nivelet më të larta të pushtetit.

Gjoni paralajmëroi gjithashtu për një përshkallëzim të pakënaqësisë qytetare, duke deklaruar se shtatori do të sjellë protesta më të mëdha dhe përballje më të fortë politike ndaj qeverisë Rama.

Pjesë nga deklarata:

Partia Socialiste po shkon akoma më tej dhe kalkulimet e Partisë Socialiste në raport me reformën territoriale janë kalkulime politike. Nuk janë kalkulime në interes të qytetarëve shqiptarë dhe nuk janë kalkulime që kanë të bëjnë me performancën apo me mënyrën e shpërndarjes demografike. Po t’i referohesh të dhënave të Bashkimit Evropian dhe të dhënave të nxjerra nga ekspertët e Partisë Demokratike, raporti i pushtetit lokal duhet të jetë sa më afër qytetarëve. Nga ana tjetër, largësia e qytetarëve në raport me qendrën e pushtetit lokal duhet të jetë jo më larg se 30 minuta. Në Shqipëri, për shkak edhe të terrenit malor dhe zonave të largëta, kjo është një pamundësi.

Po lë këtu investimet të cilat janë lënë në harresë. Kjo ka qenë edhe mënyra e përqendrimit të pushtetit në disa njësi administrative, duke i zvogëluar ato, për të qenë më të kontrolluara dhe për të bërë kalkulime politike. Në rast se ne do të marrim rastet e vendeve të Bashkimit Evropian, ju keni komuna dhe qyteza të cilat kanë drejtues bashkish dhe komunash me 1000-1500 banorë. Ndërsa në Shqipëri...

Absolutisht. Sepse është më i rëndësishëm shërbimi në favor të qytetarëve sesa përqendrimi i pushtetit në duart e disa njerëzve. Dhe vendimet e fundit të qeverisë Rama, dy vendimet e Këshillit të Ministrave për dhënien me qira dhe me enfiteozë të pronave të cilat sot janë prona shtetërore në zona të mbrojtura, tregojnë që nuk po ndalet mënyra se si po e trajton Shqipërinë Edi Rama dhe mazhoranca socialiste: si një plaçkë.

Në radhë të parë duhet të falënderoj zotin Marku në lidhje me pyetjen dhe, normalisht, ngjarja e djeshme në lidhje me Thethin është kthimi në skenën e krimit. Padyshim, vajtja e Edi Ramës në Theth ishte me helikopter, sepse ju e dini që normalisht nuk duhej të ishte mirëpritur dhe nuk është mirëpritur nga banorët e Thethit, për shkak të mënyrës se si i ka trajtuar ata banorë dhe gjithë zonën e Dukagjinit.

Nga ana tjetër, njerëzit të cilët ishin dje në takimin që zoti Rama kishte, ishin pjesë e administratës shtetërore dhe ishin dërguar posaçërisht në këtë takim. Mënyra se si e trajton çështjen e legalizimeve, çështjen e Paketës së Maleve, çështjet e zonave të mbrojtura, Edi Rama në tërësinë e vet është mësuar t’i trajtojë si pronë të tij private. Dhe të gjithë mekanizmin të cilin e ka ndërtuar, e ndërton në raport me atë që e konsideron si diçka personale.

Edi Rama duhet ta njohë orën sa më parë. Protestat kanë dhënë rezultatet e tyre, por populli shqiptar, unë besoj edhe për shkak të kohës së nxehtë, por edhe për shkak të problemeve që ka dhe fillimeve të pushimeve, do të rikthehet. Shtatori do të jetë tmerrësisht i nxehtë, të paktën për shqiptarët. Njerëzit po mobilizohen, qytetarët do të mobilizohen akoma më shumë, numri i protestuesve do të jetë akoma më i lartë dhe kërkesat do të jenë më radikale në raport me këtë qeveri, e cila i ka ditët e numëruara.

Kodi Zgjedhor, harta territoriale...

Tani, në lidhje me dy elemente të cilat do t’i trajtoj mbi bazën e pyetjes që ju drejtuat: deputeti çek, i cili është anëtar i Komisionit të Drejtësisë dhe Çështjeve Ligjore në Parlamentin Evropian, ka dhënë një indicie jashtëzakonisht të rëndësishme dhe jo vetëm një indicie, por edhe një akuzë të drejtpërdrejtë publike në raport me kryeministrin shqiptar.

Jo se shqiptarët nuk e dinin këtë raport të krijuar të kryeministrit Edi Rama në raport me shqiptarët dhe me paranë dhe transferimin e këtyre parave jashtë shtetit, sepse shqiptarët janë në dijeni të mënyrës se si funksionon kryeministri, nëpërmjet çarterave të cilët i ka kthyer në taksi private. Nga ana tjetër, janë edhe marrëdhëniet që kanë pasur ambasadat me trafikantët e drogës dhe me transportimin e parave në drejtim të Shqipërisë ose, në shumë raste, sipas informacioneve të cilat tashmë janë bërë publike nga një pjesë e gazetarëve shqiptarë dhe të huaj, rezulton se janë përfshirë ambasada në trafikun e drogës dhe transportimin e parave jashtë shtetit.

Dhe rasti i eurodeputetit, i cili sot u pyet edhe nga deputetë të Partisë Demokratike në Parlament, të cilët i kërkuan shpjegime dhe përgjigje në lidhje me këtë akuzë të drejtpërdrejtë. Normalisht, si në rastet e tjera ku zoti Rama rezulton i implikuar, siç është McGonigal, siç janë koncesionet e tjera publike, siç janë inceneratorët, siç është Aruba dhe transportimi i parave, SPAK-u duhet patjetër dhe ka indicie për të hapur hetime në raport me Edi Ramën.

Është e vërtetë që edhe në takimet dhe njëkohësisht në paraqitjen e drejtuesit të SPAK-ut në komisionin parlamentar, por edhe të institucioneve të tjera ligjzbatuese të cilat janë në proces thirrjeje, qoftë drejtori i policisë, qoftë në lidhje me reformën elektorale, rezulton se pyetjet nga ana e deputetëve të Partisë Demokratike janë bërë deri në detaje në raport me këto çështje, të cilat sot shqetësojnë jo vetëm ju si gazetar, jo vetëm televizionin Syri, por gjithë publikun shqiptar dhe madje edhe publikun ndërkombëtar.

Dhe po të shihni në raport me pyetjet të cilat edhe agjencitë e huaja ndërkombëtare dhe televizionet më të mëdha botërore bëjnë në raport me...

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco