Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Reformë territoriale apo grabitje elektorale

'SPAK goditi të vegjlit, jo përgjegjësit realë'/ Tomorri: Nuk ka guxim të hetojë Ramën dhe pushtetin

18:58, 23/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka ngritur akuza të forta ndaj mënyrës se si është trajtuar afera e inceneratorëve dhe rikuperimi i parave publike, duke e cilësuar atë si një nga dështimet më të mëdha të SPAK-ut.

Tomorri tha se, arrestimet e kryera deri më tani nuk kanë prekur përgjegjësit realë të aferës, ndërsa miliona euro të paguara nga buxheti i shtetit mbeten të parikuperuara.

Ai deklaroi se SPAK ka treguar rezultate në luftën kundër krimit të organizuar, por bilanci në rastet e korrupsionit dhe rikthimit të parave të humbura për qytetarët mbetet zero. Tomorri theksoi se hetimet ndalen sa herë që gjurmët çojnë drejt niveleve më të larta të pushtetit, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë mungesën e guximit për të hetuar kryeministrin Edi Rama.

Gazetari foli edhe për ligjin e investimeve strategjike dhe ndryshimet për zonat e mbrojtura, duke argumentuar se qeveria po lehtëson procedurat për tjetërsimin e pronave publike, pavarësisht paralajmërimeve të Bashkimit Evropian. 

Pjesë nga deklarata:

Shiko, inceneratorët janë gropa e madhe e dështimit të SPAK-ut në termat e... qoftë në termat e rikuperimit të parasë së vjedhur ndaj qytetarëve apo në buxhet, qoftë në termat e ndëshkimit të fajtorëve realë që e gatuan atë aferë. E dinë të gjithë qytetarët shqiptarë: aferën e inceneratorëve nuk e bëjnë as drejtorët e bashkive që u arrestuan. Tani kanë dalë edhe ata. Kanë dalë të gjithë. Nuk e bën as Mirel Mërtiri, as Zotoja dhe as këta shoferët që janë shpallur në kërkim. E di SPAK-u shumë qartë se kush e ka bërë. Por unë e kam thënë edhe herë të tjera: nuk ka guxim SPAK-u të hetojë Edi Ramën. Dhe po të shikosh disa dosje, janë një sërë dosjesh, duket sikur priten me gërshërë sapo dalin në sfond fije që të çojnë te Kryeministri.

Dhe sigurisht që ne duhet t’i japim SPAK-ut meritat kur i ka. Ka pasur merita në goditjen e parasë së paligjshme te krimi i organizuar, me sekuestrimet e parasë, drogës; kjo nuk diskutohet.

Por, në termat e rikuperimit të parasë së korrupsionit që është vjedhur, e ka bilancin zero. Nuk ka. As te inceneratorët.

Shfuqizo ligjin për investimet strategjike. Zhbëj, anulo ndryshimet që i bëre ligjit për zonat e mbrojtura në vitin 2024, të cilat i hapën rrugë ndërtimeve dhe këtyre...

Pra, vetë fakti që BE-ja e ka thënë në mënyrë eksplicite dhe qeveria, nga ana tjetër, futet dhe lehtëson procedurat, lehtëson kriteret, përshpejton tjetërsimin e pronave publike në zonat e mbrojtura, pronave publike që janë dhënë me qira përmes ligjit të investimeve strategjike, mjafton vetëm ky fakt për ta kuptuar se çfarë po bën qeveria. Pra, këta nuk duan t’ia dinë.

Jo, kjo është një kryeneçësi, madje është një sfidë që u hidhet qytetarëve, sepse praktikisht me këtë po thuhet që ne edhe në BE nuk shkojmë, nuk e duam fare Bashkimin Evropian, por pronat nuk i lëmë. Se ky është thelbi i të gjithë kësaj.

Tani, në çastin që ty ta thonë dhe po ta thonë thuajse çdo ditë nga Bashkimi Evropian, po ta thotë edhe Martha Kos, me të cilën përqafohet edhe... Fakti që ta thonë këta, ta thonë çdo ditë dhe ti vazhdon dhe bën veprime në të kundërt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco