Partia Demokratike ka reaguar pas ndalimit të gazetares së Citizens Channel, Vjolanda Peca, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të papranueshëm ndaj lirisë së medias dhe të drejtës për informim.
Në një deklaratë zyrtare, PD akuzon Policinë e Shtetit për presion ndaj gazetarëve dhe përpjekje për të penguar raportimin nga terreni, duke e konsideruar ndalimin e gazetares si një veprim me prapavijë politike që synon të frikësojë reporterët dhe të ndikojë informimin e publikut.
Deklaratë e Zyrës së Shtypit të Partisë Demokratike
Partia Demokratike dënon ndalimin e gazetares së Citizens Channel, Vjolanda Peca, si mospërmbajtje dashakeqe dhe përpjekje politike e policisë së Ramës për të frikësuar gazetarët dhe mediat e lira.
Në një rast të paprecedent në Europë, por familjar në Bjellorusinë e Lukashenkos, Policia e Shtetit pengon një gazetare të kryejë detyrën dhe e ndalon atë pa shkak, pa arsye, pa të drejtë.
Ky nuk është vetëm cënim i së drejtës për raportim dhe informim publik, por edhe përpjekja për t’i mbajtur gazetarët larg vatrave të ngjarjeve, me qëllimin e vetëm që ato të manipulohen më lehtë, siç ka bërë kaq herë Policia e Shtetit.
Partia Demokratike shpreh mbështetjen për gazetaren dhe median Citizens Channel, një prej burimeve të informacionit ende të pandotur nga duart e zeza të qeverisë dhe narko-partnerëve të saj.
© SYRI.net