Në shtetrrethim dhe të mbrojtur nga qindra forca policie, deputetët e Partisë Socialiste nxituan të shkojnë në Kuvend, 2 orë para nisjes së seancës, në përpjekje për të shmangur përballjen me qytetarët. Megjithë masat e marra, automjetet e tyre nuk i shpëtuan goditjes me vezë dhe revoltës së protestuesve, që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës.
Në hyrje të Parlamentit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri thirrje për shkrirjen e Kuvendit.
Sapo hyri në Kuvend, Berisha përcolli edhe pamjet e deputetëve socialistë, të cilët qëndronin të vetëm në sallë, në pritje të nisjes së seancës plenare.
Dhuna brutale e policisë së shtetit para Kuvendit u kthye në kryefjalë të debateve edhe në sallën e Parlamentit. Lideri i opozitës, Sali Berisha, dënoi dhunën policore dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për kthimin e vendit në një narkoshtet, për largimin e shqiptarëve, lidhje me krimin dhe vjedhjen e qytetarëve.
Debatet u ndezën edhe më shumë pas përpjekjeve të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, dhe ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, që mbrojtën dhunën policore ndaj protestuesve paqësorë.
Në prag të mbylljes së sesionit parlamentar, deputetët demokratë kërkuan vendosjen në rendin e ditës të kërkesave të qytetarëve që protestojnë, duke paralajmëruar se edhe shtatori nuk do të ketë agjendë tjetër, përveç kërkesave të shqiptarëve që janë në shesh prej 53 ditësh.
© SYRI.net