Protesta e 54-të qytetare para Kuvendit të Shqipërisë vijon mes tensioneve të forta dhe përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë, por pavarësisht ndërhyrjeve të efektivëve, qytetarët vijojnë qëndrimin e tyre dhe nuk tërhiqen nga tubimi.
Gjatë protestës janë regjistruar disa momente të tensionuara, ku sipas pamjeve të siguruara nga SYRI TV, policia ka përdorur ujë me piper dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve. Nga përplasjet e krijuara në zonë, disa qytetarë kanë mbetur të lënduar, mes tyre edhe një vajzë e cila është parë me dëmtime në fytyrë.
Një video e mbërritur në redaksinë e SYRI TV tregon një tjetër rast, ku një qytetar shihet në gjendje të rënduar nga efektet e gazit lotsjellës, ndërsa ndihmohet nga protestues të tjerë të cilët i hedhin ujë në sy dhe përpiqen ta stabilizojnë.
Momente tensioni janë regjistruar edhe me qytetarë të tjerë, të cilët janë shtrirë në tokë pas ndërhyrjes së policisë. Pamje të tjera tregojnë efektivë të shumtë që kanë ndërhyrë ndaj protestuesve, duke krijuar kordone të forta sigurie nga zona e Urës së Tabakëve deri pranë ambienteve të Kuvendit.
Një nga momentet më të diskutuara ishte ndërhyrja ndaj një gruaje të moshuar, e cila ishte ulur në asfalt në shenjë mosbindjeje civile. Sipas pamjeve, disa efektivë policie e kanë tërhequr me forcë atë nga zona, ndërsa qytetarët përreth kanë reaguar me thirrje “Turp, turp!”.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve dhe përdorimit të mjeteve të ndërhyrjes nga policia, protestuesit kanë vijuar qëndrimin para Kuvendit, me thirrje dhe pankarta kundër qeverisë.
Ndërkohë, gjatë protestës është raportuar edhe pengimi i gazetarit të SYRI TV, Klajdi Bodlli, teksa po kryente detyrën e tij. Bodlli bëri me dije në një lidhje direkte se ai dhe operatori u ndaluan nga efektivë policie pranë hyrjes së Kuvendit, të cilët nuk i lejuan të filmonin në një zonë pas kordonit të sigurisë.
Gazetari deklaroi se kishte kërkuar sqarime nga drejtues të Policisë së Tiranës për bazën ligjore të këtij urdhri, por deri në momentin e raportimit nuk kishte marrë përgjigje. Sipas tij, në terren ishin angazhuar edhe forca të ardhura nga rrethet, repartet “Shqiponja” dhe forcat e rendit.
Teksa situata mbetet e tensionuar, një qytetar iu drejtua efektivëve të policisë me një pyetje gjatë përplasjeve: “Po a ia vlen kjo për Edi Ramën?”
Megjithë ndërhyrjet e policisë dhe përplasjet e regjistruara, protestuesit vijojnë të qëndrojnë para Kuvendit, duke deklaruar se nuk do të ndalen në kërkesat e tyre.
© SYRI.net