Bashkia e Tiranës në kolaps, tani mbetet edhe pa makina

Bashkia e Tiranës në kolaps, tani mbetet edhe pa makina

17:42, 22/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kriza në Bashkinë e Tiranës po thellohet. Më shumë se 70 mjete, të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve në zonat më të largëta të kryeqytetit, së bashku me automjete të tjera të përdorura në punën e përditshme të administratës, janë tërhequr këtë javë nga koncesionari, duke krijuar një situatë kaotike në funksionimin e institucionit.

Burime pranë Bashkisë bëjnë me dije se shkak i kësaj situate është një konflikt ligjor mes palëve pretendente për tenderin e shërbimit, i kombinuar me paaftësinë e drejtimit aktual të institucionit, që drejtohet në mënyrë të komanduar nga Anuela Ristani, për të gjetur një zgjidhje që garanton vazhdimësinë e shërbimeve.

Zyra juridike është inekzistente. Drejtimi politik edhe më keq.

Mungesa e automjeteve prek drejtpërdrejt disa nga sektorët më të rëndësishëm të Bashkisë. Policia Bashkiake e ka të vështirë të ushtrojë kontrollet në territor, të reagojë ndaj zaptimeve të hapësirave publike apo të ndërhyjë në kohë në zonat periferike. Edhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) përballet me vështirësi serioze në kryerjen e inspektimeve dhe ndërhyrjeve ndaj ndërtimeve pa leje.

Situata më shqetësuese lidhet me Shërbimin Zjarrfikës. Mungesa e mjeteve mbështetëse rrezikon të ngadalësojë reagimin në raste emergjencash, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e strukturave për të garantuar sigurinë e qytetarëve, sidomos gjatë sezonit të verës, kur rreziku i zjarreve është më i lartë.

Ndërkohë që qytetarët presin shërbime normale nga administrata vendore, Bashkia e Tiranës duket se po përballet me një tjetër krizë funksionale, ku moszgjidhja e proceseve administrative dhe juridike po reflektohet drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve publike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco