Ndërsa Shqipëria vijon të përjetojë ditën e 53-të të protestave, ku pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në rrjetet sociale po rikthehen deklarata të mëhershme të arkitektit të ndjerë Maks Velo, të cilat po komentohen gjerësisht.
Në një intervistë televizive të dhënë vite më parë, Velo shprehej kritik ndaj mënyrës së drejtimit të Ramës dhe disa prej projekteve të tij urbanistike.
Arkitekti deklaronte se kishte kuptuar se kryeministri kërkonte që bashkëpunëtorët të mbështesnin vetëm qëndrimet e tij, ndërsa ata që kishin mendim ndryshe përjashtoheshin.
Gjatë të njëjtit debat, ai ndalej edhe te shembja e Teatrit Kombëtar, të cilën e cilësonte një “katastrofë”, si dhe te projekti i stadiumit “Qemal Stafa”, sot “Air Albania”. Sipas Velos, transformimi i stadiumit do të dëmtonte karakterin e tij publik, duke i dhënë përparësi hapësirave tregtare dhe hotelerisë në kurriz të funksionit sportiv.
“Çdo njeri që nuk është dakord me atë, duhet të largohet. Rasti i Teatrit Kombëtar ishte katastrofë. Do të shohësh se çfarë katastrofe do të jetë shtatori, me rastin e stadiumit Qemal Stafa… U mbushëm me dyqane. Po pse i bëjnë? Vjedhin ajrin. Ne jemi gati të vjedhim çdo gjë”, shprehej asokohe arkitekti i ndjerë.
“Unë pashë që ai të përdor. Problemi i tij është që ai do që të thuash atë që ai do. Këtë dalëngadalë unë e kuptova. Çdo njeri që nuk është dakord me atë, duhet të largohet. Rasti i Teatrit Kombëtar ishte katastrofë. Por do shohësh se çfarë katastrofe do të jetë shtatori, me rastin e stadiumit Qemal Stafa. Është e pariparueshme. Do të bëjë një qendër tregtare, hoteliere, me një stadium të vogël. Ky të ishte stadiumi kombëtar i yni, dhe të eliminosh pistën olimplike, se bën dot! Si është mundësi që ky njeri sportist shpik pistën e atletikën për ta bërë dyqane. U mbushëm me dyqane. Po pse i bëjnë? Vjedhin ajrin. Ne jemi gati të vjedhim çdo gjë.”, thoshte Velo..
© SYRI.net