Në tentativë për të mbuluar gjestet skandaloze për t’i rënë në sy presidentit të SHBA-së, Donald Trump, me atlete të bardha dhe lëvizje të pavullnetshme, kryeministri Edi Rama bëri fakt se në vitin 2027 samiti i NATO-s do të mbahet në Tiranë. Sipas tij, kjo ishte vendosur tashmë në samitin e NATO-s në Ankara.
Vetëm disa javë më pas, duket se pas dështimit për t’i tërhequr vëmendjen Presidentit Trump, kryeministri Edi Rama i shton edhe “Fake News”-in që vetë e prodhoi për samitin e NATO-s. Teksa mediat ndërkombëtare demaskuan të gjitha prapaskenat, sot ishte ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ai që do të pranonte se ajo që deklaroi kryeministri Edi Rama nuk ishte e vërtetë dhe se ende nuk ka një vendim nëse samiti i NATO-s në vitin 2027 do të mbahet në Tiranë.
Nufi u shpreh në konferencën pas mbledhjes së qeverisë se ky është një propozim nga Samiti i Hagës, i zhvilluar një vit më parë, por do të jenë vendet anëtare ato që do të vendosin nëse ky samit do të mbahet apo jo.
Pak ditë më parë ishte prestigjiozja “Bloomberg” që demaskoi “Fake News”-in e prodhuar nga Edi Rama dhe të gjitha prapaskenat e përpjekjeve të tij, duke përfshirë edhe influencën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
“Bloomberg”, duke iu referuar burimeve të konfirmuara brenda NATO-s, nxori në dritë prapaskenat për përpjekjen e Tiranës për t’u caktuar si vend mikpritës i samitit të ardhshëm, por që në fund dështoi.
Media amerikane shkruante se përpjekja e Shqipërisë për të siguruar organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s nuk ka dhënë rezultat, duke theksuar se lutjet e Edi Ramës ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, të cilin e përshkruan në titull si “Sulltani turk”, nuk kanë mjaftuar për të bindur aleatët që të konfirmojnë zhvillimin e samitit në Shqipëri.
Sipas “Bloomberg”, Edi Rama nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme për kandidaturën e Shqipërisë. Sipas raportit, në prag të takimit, Rama kishte lobuar intensivisht që Shqipëria të zgjidhej vendi pritës i samitit të NATO-s vitin e ardhshëm. Megjithatë, gjatë diskutimeve nuk u arrit një marrëveshje për ta caktuar Shqipërinë si mikpritëse të samitit.
Media amerikane thekson se çështja mbetet ende e hapur, ndërsa brenda Aleancës po shqyrtohen alternativa të ndryshme për vendin dhe kohën e organizimit të takimit.
© SYRI.net