Rritja skandaloze e çmimeve/ Sejdarasi: Në tregun e hidrokarbureve ne jemi gjithmonë të vjedhur

Rritja skandaloze e çmimeve/ Sejdarasi: Në tregun e hidrokarbureve ne jemi gjithmonë të vjedhur

09:44, 22/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rritja e menjëhershme e çmimeve të karburanteve në Shqipëri nuk është thjesht një pasqyrim i tregjeve ndërkombëtare, por një mekanizëm i ligjëruar që dëmton rëndë xhepat e qytetarëve. Me shkrirjen e Bordit të Transparencës, tregu ka kaluar në një situatë ku abuzimi me çmimet gjen justifikim të plotë në një kod doganor të vjetruar dhe problematik, i cili lejon rritjen e kostove brenda natës pa pasur asnjë sasi të re nafte të importuar.

Sipas ekspertit të ekonomisë Bardhi Sejdarai që ishte I ftura në “Kafe Shqeto” në Syri tv, qytetarët shqiptarë ndodhen përballë një grabitjeje të vazhdueshme. Mjafton një deklaratë gjeopolitike, si ajo e presidentit amerikan për tensionet në Lindjen e Mesme, që bursa ndërkombëtare të pësojë luhatje. Kjo luhatje përkthehet menjëherë në rritje çmimi në pikat e karburantit në Shqipëri, duke kapërcyer nga 173 lekë në 190 lekë në harkun e pak ditëve. Paradoksi më i madh qëndron te fakti se kompanitë e aplikojnë këtë rritje duke u fshehur pas ligjit, i cili përcakton se çmimi i shumicës llogaritet bazuar në bursën e një dite më parë, pavarësisht nëse kompanitë kanë kryer zhdoganime të reja apo janë duke shitur rezervat e blera me çmim shumë më të lirë.

Në shumë raste, konstatohet se kompanitë e naftës e kanë rritur çmimin në tabelë pa pasur asnjë faturë importi për atë ditë, një manovër kjo që i ngarkon qytetarët me një kosto inekzistente. Për më tepër, ky kaos i ka hapur rrugë edhe një përplasjeje ligjore, ku Shoqata e Hidrokarbureve ka paditur qeverinë duke i kërkuar plot 12 milionë euro dëmshpërblim për shkak të metodologjisë së llogaritjes së çmimeve nga ish-Bordi i Transparencës.

Nga ana tjetër, qeveria duket se është përfituesja e heshtur e këtij handikapi. Çdo rritje e çmimit të karburanteve shton automatikisht të ardhurat në arkën e shtetit përmes Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Ndërkohë që qeveria pretendon se këto të ardhura shtesë u janë shpërndarë pensionistëve si bonus, mungesa e plotë e transparencës e bën të pamundur të dihet vlera e saktë që është arkëtuar ekskluzivisht nga rritja e fiktive e çmimit të naftës. Për sa kohë ky ligj mbetet në fuqi dhe transparenca mungon, qytetari mbetet i vetmi që paguan faturën e këtij abuzimi masiv.

Flavio Qarri: Tani, a duhet të ndihemi të vjedhur apo duhet të ndihemi që diçka natyrale ka ndodhur në tregje dhe ne duhet të sakrifikojmë...

Bardhi Sejdarasi: Jo, në tregun e hidrokarbureve ne duhet të ndihemi gjithmonë të vjedhur. Unë e kam thënë vazhdimisht këtë, sepse ka të bëjë e para me strukturën e çmimeve që janë vendosur në Shqipëri, e dyta sigurisht që lidhet edhe me sistemin që kishim ne nëpërmjet bordeve. Ne e kemi krijuar një bord që nga 2022-shi, e mbajtëm shumë gjatë, e mbyllëm, e hapëm në mars të 2026-ës, e mbyllëm prapë. Tani, shiko, tregu është i ashpër, është i egër, i vendos çmimet sipas kërkesë-ofertës. Tani që po flisnim ne, unë sapo pashë bursën. Ne nuk e kemi këtë rritjen e një barrele nafte, marrim parasysh zakonisht Londrën për fuçi. Nuk e kemi 70 e ca siç me të drejtë e thonë në kronikë, sepse rritja edhe gjatë natës në atë treg shkoi në momentin që e pashë, në momentin që dëgjoja kronikën. Pra, kemi një fluks të dukshëm të këtij ndikimi që ka lufta në Lindjen e Mesme. Madje, pa nisur, disa herë është ndikim psikologjik. Mjafton që të bëjë një deklarim sot presidenti i Amerikës, të thotë diçka, dhe ju shikoni që bursa lëviz në mënyrë të tillë. Sigurisht kjo është bursa e kontratave paraprake, kjo është pjesa që lidhet me tregun, lidhet me bursën.

Flavio Qarri: Tani një gjë s'kuptoj unë. Ndodhi deklarata, se e ndoqa për kuriozitet. Shkoi çmimi i naftës, po them marr naftën, 173. Dhe, mirë apo keq, duket sikur ka një lloj paqe... Kur ishte bordi. Kjo është me bord. 173... Ishte dita që u vendos që do shkrihej bordi, se shkoi 173 tani, lufta mbaroi atje, jemi të gjithë vëllezër dhe motra si më parë. Mirëpo pati vetëm një gjysmë deklarate nga ana e presidentit Trump për marrëdhënien me Iranin, dhe të nesërmen në Shqipëri po shkonte direkt 185, pasnesër 190. Pa luajtur ende bursa, këta tani, kur u ble kjo nafta me çmimin e ri, kur u zhdoganua? A duhet të shkojë në pikat e karburantit, të thonë...

Bardhi Sejdarasi: Ti ke shumë të drejtë sepse këtë pyetje e bën çdo konsumator shqiptar, çdo shqiptar e bën. Po kemi një handikap të tmerrshëm. Unë e kam thënë edhe në studio të tjera, edhe në studion tuaj. Kemi problem të madh me ligjin mbi bazën e të cilit llogaritet kjo gjë. Ne e kemi ligjin, në çdo lloj kohe të doganave, e kemi në mënyrë të tillë që çmimi i një litri karburant në tregun e shumicës, është ai i një dite më përpara në bursë. Pra, nuk ka asnjë farë rëndësie kur e keni sjellë zhdoganimin ose kur s'e keni sjellë.

Flavio Qarri: Po a e kishin ata atë dje të blerë?

Bardhi Sejdarasi: Absolutisht nuk ka rëndësi fare! Fare! Ju mund të mos keni, unë ju kam thënë, radhën e parë kur u rrit çmimi këtu s'kishim vlerë në naftë asnjë vend. S'kishte, asnjë kompani nuk kishte sjellë naftë, pra nuk kishte import të naftës. Në doganë ti mund të vije e t'i thoshe zotërisë: më thuaj cila është kompania që ka sjellë naftë dhe më trego faturën. Dhe do të thoshte jo, s'ka naftë, s'ka asnjë faturë fare. Dhe ne e kishim çmimin këtë që thoni ju tani këtë rritjen. Kjo është arsyeja që në të tëra rastet ne nuk arrijmë dot që ta vëmë pikën mbi i. Në të gjitha rastet është vjedhur sepse ti nuk mund të thuash dot mua që dakord, bursa plasi, me çfarë do orientohemi ne, është kaq, është rritur, është normale. Ti duhet të tregosh faturën me të cilën e kanë sjellë kompanitë. Madje madje tani së fundi kemi një gjyq, shoqata e hidrokarbureve ka hedhur qeverinë në gjyq dhe i kërkon 12 milionë. Sepse bordi e ka llogaritur çmimin e rritjes së karburantit me çmimin e vitit të 2022-shit. Pra është një shifër dhe po fshihet bordi që është kur merr parasysh taksat e transportit dhe taksat e tjera të siguracionit dhe kur nuk merren. Madje që të kërkon 12 milionë. Pra ne nuk arrijmë dot që ta gjejmë akoma të gjithë aktorët dhe faktorët në Shqipëri vazhdojnë të mbajnë një kod të tillë doganor i cili thotë, çmimi i naftës sot është ai i bursës së djeshme. Po unë s'kam sjellë naftë dje, në cilën bursë do bazohem? Kështu thotë kodi, kështu thotë ligji. Dhe të gjitha kompanitë në momentin që kërkojnë llogari pse rritet çmimi në tabelë, thotë zotëri unë e kam marrë me çmimin e djeshëm. Po ti s'je furnizuar dje, ti s'ke marrë asnjë litër karburant. Po ligji më thotë që do ta nxjerrësh nga magazina doganore, do ta nxjerrësh me këtë çmim. Dhe në asnjë rast ne nuk arrijmë dot që ta ndjekim bursën sipas kësaj që thamë, bursën e kontratave paraprake që është Londra apo Teksasi. Ky është një handikap i madh të cilin duhet ta marrin në konsideratë pikërisht…

Flavio Qarri: E nuk e marrin kastile në konsideratë apo nuk dinë ta zgjidhin?

Bardhi Sejdarasi: Jo, shiko, duhet të dish një gjë Flavio. Çdo qeverie e pa përjashtim i intereson sa më i lartë çmimi i naftës. Patjetër. Sidomos nëse taksohet. Mbi akcizën dhe mbi taksat e tjera vendoset TVSH-ja. Madje kryeministri tani së fundi thotë që të gjithë këtë TVSH-në që fituam nga rritja e çmimit të naftës ua ndamë pensionistëve. Ne nuk e dimë këtë sepse nuk ka asnjë tregues që të tregojë se sa ka qenë në mënyrë taksative çmimi i rritur i naftës, pra kjo pjesa që i kalon pensionistëve. Sigurisht pensionistët morën nga një 5 mijë lekësh, po ne nuk e dimë sa ishte totali, sepse nuk ka transparencë dhe nuk e tregon asnjë risk se sa u fitua nga TVSH-ja e naftës, dakord që ua ndanë. Ndërkohë, Ministri i Financave dje ka thënë që këtë tremujor janë rritur të ardhurat dhe e vetmja gjë që mund t'i kishte rritur të ardhurat, se s'kemi pas asnjë aktivitet tjetër ekonomik, ka qenë te nafta. Shiko, të ardhurat janë rritur për shumë arsye, ka shumë faktorë që i rritin të ardhurat. Por ne duam specifikisht, nëse ministri thotë që paratë që vijnë nga rritja e çmimit të karburanteve, të naftës përkatësisht, do t'i ndajmë me pensionistët apo do ta krijojmë atë fondin që është krijuar prej 170 e ca milionë në Bankën e Shqipërisë, duhet të specifikohet që rritja e TVSH-së vetëm për këtë produkt është kaq…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco