Gazetari Basir Çollaku deklaroi se deklaratat e bëra nga eurodeputeti çek ndaj kryeministrit Edi Rama për pastrim parash përmes familjarëve të tij duhet të hetohen nga SPAK.
Në një intervistë për emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, Çollaku u shpreh se Prokuroria e Posaçme duhej të kishte kontaktuar menjëherë eurodeputetin për të marrë informacionet që ai disponon dhe të niste një hetim mbi këto deklarata. Ai tha se heshtja e Ramës pas deklaratave është domethënëse dhe ngriti pyetje për rolin e familjarëve të kryeministrit në aktivitetet e tyre financiare.
Sipas Çollakut, eurodeputeti nuk foli për dyshime, por për informacione që, sipas tij, njihen nga partnerët ndërkombëtarë. Ai kritikoi SPAK-un për mungesë reagimi, duke theksuar se organi i akuzës duhet të ndjekë gjurmët e parave dhe të hetojë pretendimet për pastrim parash, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
Gazetari shtoi se, sipas tij, nëse këto indicie verifikohen, SPAK duhet të ndërmarrë procedurat ligjore për hetimin e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se drejtësia nuk duhet të presë sinjale të tjera nga partnerët ndërkombëtarë për të vepruar.
Çollaku:
Ajo që vihet re, Ramës i ka ikur zëri në raport me Brukselin, sidomos me Parlamentin Europian pas asaj rezolute. Ajo është, le të themi, potencialisht një aktakuzë ndërkombëtare tashmë, sipas asaj që ne shohim në tekstin, asaj që përcolli parlamentari europian. Kjo rezolutë do duhej të shërbente si indicie dhe nisjes së një komunikimi serioz, të posaçëm me eurodeputetin, për të marrë informacion dhe për të shkuar më tej në një rrugë hetimore drejt asaj çfarë përmban, le të themi, deklarata. Për ne nuk është ndonjë surprizë do të them. Një njeri i akuzuar prej 10 vitesh, prej më shumë se një dekade, në krye të trupave të trafikut të drogës, të krimit të organizuar, të një mega-korrupsioni në Shqipëri, këto para duhet të çohen diku, duhet t'i mbajë diku. Nuk është rastësi, as autokratët nuk janë të veçuar. Nëse i referohemi materialeve të Sky Encro, emri i Edi Ramës në detajet, dhe i Taulant Ballës, është emër i referuar dhe i përmendur në 80% të mesazheve, 80% të komunikimeve. Edhe nuk po flet për histori qeverisjeje, po flet për histori kriminale, histori trafiqesh. Janë dosjet e fundit kur 4-5 të tilla të trafikut të drogës dhe të krimit të organizuar, konkurojnë jo thjesht buxhetin, por edhe GDP-në e Shqipërisë me miliarda euro.
Dhe këto miliarda... pra vllezërit e Ramës, autokrat në këtë vend nuk kanë miliona, kanë miliarda. Por duke ndjekur paranë është ajo që po bëjnë parlamentarët, që duhet ta bënte struktura e posaçme, duhet ta bënte prokuroria, por kjo nuk është duke ndodhur. Dhe heshtja e Ramës dhe familjarëve të tij, pyetja është shumë e thjeshtë. Kush janë familjarët e Ramës potencialisht njerëz të cilët janë të përfshirë, le të themi, në fazën e këtyre dyshimeve, të këtyre pretendimeve të ashpra që vijnë edhe në mënyrë të përsëritur jo thjesht nga Brukseli, por dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Përveç zotit Rama është vëllai i zotit Rama, është bashkëshortja e zotit Rama, është thjeshtra e zotit Rama. Të gjithë këta janë në botën e biznesit, janë në botën e parasë. Dhe ky qarkullim financiar që shpërndan jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë dhe ndoshta në vende të tjera, është e tepruar kur ajo, siç thatë dhe ju, kur Qeveria Amerikane po shkon drejt një komisioni që të hetojë tashmë qeverinë shqiptare për lehtësirat dhe përfshirjen në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Dhe këtu struktura e posaçme, SPAK-u, nuk duhet të dremisë, nuk duhet të flejë gjumë.
Ky është një lloj alarmi që ata duhet të kishin bërë edhe më herët veprime të tjera, po jo këtë lloj fjetje, këtë lloj përgjumje të kësaj strukture. Që unë e vë re tashmë, në rast se i kthehemi dhe historisë, çështja Balluku, që është çështja e Ramës njëkohësisht, është aksi, janë Aruba, janë nja 4-5 dosje të rënda, që përveç miliarda eurove që kanë në brendësi, kanë dhe autorë të dukshëm se kush janë, i akuzuar është Edi Rama, është kryeministri i vendit. Është zëvendëskryeministri. Në fakt ajo është kryeministre, Ramën e ka zëvendës, po ta marrim me zhvillimet e fundit, por në këtë kontekst, kjo dosje e madhe e strukturës së posaçme duhet të kishte qëlluar me të pandehur, kryesor, individ të pandehur kryeministrin e vendit. Kjo njëkohësisht është edhe një lloj akuze. Ish-kandidati, apo ambasadori David që ishte përpara gjeneralit, 3-4 ditë më herët ka bërë një shkrim të zgjeruar duke u fokusuar shumë te SPAK-u. Duke u fokusuar te kjo drejtësi që ata kanë investuar për të pasur rezultat. Dhe shumë pyetje të ngritura edhe prej tij, sa e sa herë prej nesh dhe prej shqiptarëve janë, ku janë rezultatet që nuk po ecet? Ku janë të korruptuarit qeveritarë? Kemi parë duke dalë ata që akuzohen për miliona dollarë, duke shkuar në shtëpi pas 6 muajsh. Ku janë milionat euro të akuzuara nga vetë prokuroria, si të abuzuara, të dëmtuara, të vjedhura, të investuara, sa qindarka kanë kthyer në buxhetin e shtetit? Tani i kemi lënë milionat se kur flasim për kryeministrin, natyrisht do flasim për miliarda euro. Dhe unë jam i bindur që dyshimet e të pandehurve, por edhe të atyre që e duan drejtësinë dhe merren me të, pavarësisht një dremitje të pajustifikuar të strukturës së posaçme, bëhet fjalë që individi kryeministër të dyshohet për miliarda euro, jo për miliona, po për miliarda.
Ne po kthehemi tek varianti kur ishim më mirë kur ishim më keq, në raport me zhvillimet e drejtësisë.Pa ardhur tek kjo deklaratë e eurodeputetit, janë e shumë gjërave të tjera të cilat lidhen direkt me kryeministrin, me familjen e tij, me të vëllain e tij. Janë fakte penale. Nëse këto na pëlqejnë s'na pëlqejnë, kanë ardhur nga partnerët apo janë të prodhuar në Shqipëri. Që nga 2014-a, ndonjëherë aty, kur u akuzua i përfshirë në atë dosjen e Xibrakës, ishte fakt i mjaftueshëm që vëllai i tij të mos ishte më kryeministër.
Sepse personat e lidhur, siç referon ligji, duhet të ishin pjesë e hetimeve dhe pastaj të shkojnë te pasuria dhe shumë fakte të tjera. Ndërsa për t'ju kthyer deklaratës së eurodeputetit, shiko, unë jam i bindur që struktura e posaçme duhej, të nesërmen të paktën, në mos atë ditë që u bë intervista, për të paktën të nesërmen, të kishte komunikuar me eurodeputetin. Të kishte vendosur, le të themi, një linjë bisedimi me të për të marrë informacione, për të marrë një lloj orientimi dhe për të filluar një hetim nga ato informacione që ata kishin. Nga ato informacione që edhe partnerët kanë, aty ku edhe eurodeputeti në fakt është konsultuar, me të dhënat të cilat ai theksoi 'ne i dimë, jo mendojmë'. Pra, bëhet fjalë për gjëra që ata kanë kaluar nëpër duar, për fakte juridike, penale, që janë të mjaftueshme për prokurorinë për të marrë të pandehur, për të marrë në hetim zotin Rama.
Kjo është... nuk mund të zgjasë më tepër. Unë nuk e di, zoti drejtues i prokurorisë së posaçme ende po zhvillon të gjitha hetimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin me firmën e paraardhësit të tij. Ende nuk shoh një firmë të tij, qoftë edhe një kërkesë të vonuar për parlamentin. Ndërsa, sepse ajo automatikisht do ta shndërrojë... ai duhet të bëjë një kërkesë për zotin Rama për ta marrë në hetim. Parlamenti duhet t'i shkojë një kërkesë për heqjen e imunitetit të kryeministrit. Le të ndalemi nga këto përralla që është i detyruar, s'është i detyruar... Po çfarë duhet të presin nga ai, që ai të marrë automatikun, të dalë të vrasë njerëz rrugëve e pastaj të arrestohet, pastaj të ndiqet penalisht? Sepse vrasjen e ekonomisë e ka bërë...
Me çfarë përfaqëson në shëndetin e tij mendor, edhe kjo mund të pritet sepse i ka gjasat dhe i ka shenjat e hershme. Por këtë nuk duhet që struktura e posaçme të presë zhvillime të kësaj natyre për të vepruar. Sepse në fund të fundit ky është element i veprës penale i konsumuar prej tyre. Ka prokurorë dhe gjyqtarë të këtyre strukturave që janë në siklete personale individuale.
Ka jo pak legjenda urbane. Flasim për para në kriptomonedha, në offshore, edhe për prokurorë, edhe për gjyqtarë, se për kryeministrin kjo nuk diskutohet. Mirëpo përderisa hetuesit ndërkombëtarë janë futur nëpër këto qoshe errësirë, le të themi potenciale, kanë zbuluar emrat, kanë zbuluar adresat, kanë zbuluar mëkatarët shqiptarë që kanë përcjellë miliona dhe miliarda euro andej. Tani këtu është prishur qetësia edhe e prokurorisë, edhe e shumë e shumë njerëzve e mëkatarëve në polici e në shtet, i cili duhet të merret me drejtësi. Dhe cili është ngërçi? Cila është kjo marrëdhënie që nuk e lejon prokurorinë të veprojë? Çfarë duhet të presin më tepër ata? Duhet t'ju thotë dikush nga Brukseli dhe Uashingtoni? Kjo është prokurori shqiptare, s'është prokurori publike evropiane apo departamenti i drejtësisë amerikan për të marrë veprime.
© SYRI.net