SYRI TV/ Banka Botërore ngre alarmin për Shqipërinë: 'Vendi po plaket e po zbrazet'

11:47, 13/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Emigracioni masiv dhe plakja e popullsisë po rrisin presionin mbi sistemin shëndetësor shqiptar, ndërsa kërkesa për trajtimin e sëmundjeve kronike po shtohet. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka ndër nivelet më të ulëta të financimit publik për shëndetësinë në Ballkanin Perëndimor dhe fondet nuk përdoren në mënyrë efikase.

Emigracioni masiv, plakja e popullsisë dhe rritja e sëmundjeve kronike po e vendosin sistemin shëndetësor shqiptar përballë sfidave gjithnjë e më të mëdha, ndërsa, sipas një raporti të Bankës Botërore, vendi ende nuk ka një qasje të qëndrueshme për t’iu përgjigjur këtyre zhvillimeve.

Në vetëm 15 vjet, popullsia e Shqipërisë ka rënë nga 2.9 milionë në rreth 2.36 milionë banorë. Banka Botërore e lidh këtë tkurrje me emigracionin e vazhdueshëm dhe normat shumë të ulëta të lindshmërisë. Nëse kjo prirje vijon, deri në fund të shekullit popullsia mund të zbresë në rreth 2 milionë banorë. Paralelisht, vendi po plaket me ritme të shpejta.

Aktualisht, 16 për qind e popullsisë është mbi 65 vjeç, çka po rrit ndjeshëm barrën e sëmundjeve kronike, si ato të zemrës, goditjet në tru, kanceri dhe Alzheimeri. Kjo do të thotë më shumë nevojë për kujdes afatgjatë, trajtim të vazhdueshëm dhe shërbime cilësore, në një sistem që vazhdon të mbështetet kryesisht te spitalet dhe jo te kujdesi parësor apo parandalimi.

Raporti thekson se Shqipëria vijon të ketë një nga nivelet më të ulëta të financimit publik për shëndetësinë në Ballkanin Perëndimor. Shpenzimet publike përfaqësojnë vetëm 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa financimi për frymë është rreth 301 dollarë, afërsisht gjysma e disa vendeve të rajonit.

Sipas Bankës Botërore, sfida nuk lidhet vetëm me mungesën e fondeve, por edhe me mënyrën se si ato përdoren. Institucioni rekomandon forcimin e kujdesit parësor, investime në parandalim dhe reformimin e organizimit të sistemit shëndetësor, në mënyrë që ai të përballojë pasojat e emigracionit dhe plakjes së popullsisë.

Një tjetër dobësi është baza e kufizuar e kontributeve. Kontributet për sigurimin shëndetësor përbëjnë vetëm rreth 0.8% të PBB-së, ndërsa transfertat e qeverisë për grupet e subvencionuara arrijnë në rreth 1.6% të PBB-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco